Ish-trajneri i njohur francez, Arsene Wenger, është shprehur i bindur se Franca ka të gjitha mundësitë për të fituar Kupën e Botës 2026, duke theksuar se vetëm Spanja mund t’i pengojë “Gjelat” në rrugën drejt trofeut.
Në një intervistë për Sky Sports, Wenger vlerësoi cilësinë e skuadrës franceze, duke theksuar se ajo disponon të gjitha karakteristikat e nevojshme për t’u shpallur kampione e botës. Sipas tij, Botërori i këtij viti po zhvillohet me një ritëm shumë të lartë, çka kërkon përgatitje të jashtëzakonshme fizike dhe teknike nga të gjitha ekipet.
Wenger vlerësoi edhe paraqitjet e disa kombëtareve, veçanërisht atyre aziatike, të cilat, sipas tij, kanë luftuar deri në fund në çdo ndeshje. “Shumë skuadra, sidomos ato nga Azia, dhanë maksimumin dhe zhvilluan ndeshje të mira, por e patën të vështirë të përballonin intensitetin e lartë të turneut.
Përveç kësaj, u mungon cilësia teknike për të rivalizuar me ekipet më të forta,” deklaroi ai. Megjithatë, Wenger bëri një përjashtim të qartë për Spanjën, të cilën e konsideron rivalen e vetme të denjë për Francën. “Spanja është e vetmja skuadër që mund ta ndalë Francën.
Ata kanë cilësi teknike të jashtëzakonshme dhe një stil kolektiv loje që i veçon nga të gjithë të tjerët,” u shpreh francezi. Sipas Wenger, futbolli spanjoll vazhdon të jetë modeli më i mirë për sa i përket organizimit dhe lojës në grup, ndërsa beteja e vërtetë për titullin pritet të zhvillohet mes Francës dhe Spanjës.
