“Miliona për propagandën, borxhe për infrastrukturën”/ Tabaku: 4.3

0%

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj vendimit të qeverisë për të vendosur 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit në dispozicion të koncertit të Kanye Ëest, duke e cilësuar këtë financim jo thjesht si një shpërdorim të parave publike, por si shprehjen më të qartë të sistemit ekonomik dhe politik të ndërtuar gjatë 13 viteve të qeverisjes socialiste.

Sipas Tabakut, vendimi për të financuar një koncert, ndërkohë që investimet strategjike mbeten në varësi të borxhit dhe financimeve të huaja, tregon se qeveria nuk drejton ekonominë sipas nevojave të shumicës, por sipas interesave të fasadës, propagandës dhe një pakice të privilegjuar. “4.3 milionë euro nga buxheti për të shpëtuar një koncert.

Vetëm 1% kontribut vendas për të ndërtuar një hekurudhë jetike. Kjo është ekonomia e fasadës. Ky është sistemi i pakicës”, deklaroi Tabaku. Deputetja demokrate bëri të ditur se qeveria ka miratuar një VKM dhe një relacion buxhetor përmes të cilit i kërkohet Kuvendit të votojë 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për fondet speciale të koncertit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në relacion, sipas saj, shkruhet hapur se paratë jepen “për të mos dështuar koncerti”, ndërsa pretendohet një efekt shtesë prej 20 milionë eurosh në ekonomi. Në të njëjtën kohë, për hekurudhën Tiranë–Durrës, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për ekonominë shqiptare, kontributi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit është vetëm 1% e financimit të huaj.

Tabaku theksoi se hekurudha lidh kryeqytetin me Durrësin, portin dhe aeroportin, ul trafikun, ndotjen dhe kostot e transportit, rrit produktivitetin dhe mund të prodhojë përfitime ekonomike shumëfish më të mëdha sesa një aktivitet njëditor. Por, sipas saj, hekurudha nuk prodhon spektakël të menjëhershëm, fotografi dhe propagandë.

Për këtë arsye, ajo nuk trajtohet si përparësi nga një qeveri që e ka zëvendësuar zhvillimin me fasadën. “Ministri i Financave premtoi se koncerti nuk do t’i kushtonte buxhetit asnjë lek. Sot buxheti i jep 4.3 milionë euro. Ndërsa një hekurudhe jetike i jep vetëm 1%. Kjo nuk është rastësi dhe as paaftësi. Kështu funksionon sistemi socialist”, u shpreh Tabaku.

Ajo denoncoi gjithashtu mënyrën se si projekti i hekurudhës Tiranë–Durrës është copëzuar në disa hua dhe kontrata të veçanta. Në komisionet parlamentare, sipas saj, mbërrijnë vazhdimisht kërkesa të reja për borxh: një herë për stacionin e trenit në Tiranë, një herë për elektrifikimin e linjës dhe një herë tjetër për lokomotivat.

“Një projekt që duhej menduar, projektuar dhe financuar si një i tërë, copëtohet në hua, shtesa dhe kontrata të pafundme. Sepse ky sistem nuk është ndërtuar për të përfunduar punët, por për të prodhuar kontrata, borxhe dhe hapësira për klientelizëm”, deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, pas fasadës së koncertit ndodhet Shqipëria reale: një vend ku informaliteti në tregun e punës mbetet i lartë, mijëra qytetarë punojnë të padeklaruar ose deklarohen me pagë minimale, ndërsa humbasin kontributet, vitet e punës dhe të drejtën për një pension dinjitoz.

Ajo solli në vëmendje të dhënat sipas të cilave rreth 54% e pensioneve të pleqërisë janë të pjesshme, sepse qytetarët nuk kanë arritur të plotësojnë vitet e nevojshme të sigurimit. “Ky sistem gjen 4.3 milionë euro për të shpëtuar një koncert, por nuk shpëton pensionistin. Gjen para për propagandën, por jo për formalizimin e punës.

Gjen para për fasadën, por vetëm borxhe për infrastrukturën”, theksoi Tabaku. Deputetja e PD akuzoi qeverinë se ka ndërtuar një ekonomi ku puna dhe prodhimi janë zhvlerësuar, ndërsa pasuria dhe fondet publike përqendrohen në duart e një pakice të lidhur me pushtetin.

Sipas saj, bujqësia është në rënie për të gjashtin vit radhazi, produktiviteti është dobësuar, paraja e pistë ka deformuar tregun dhe prokurimet publike janë kthyer në një bursë qokash të mikromenaxhuara nga Kryeministria. “Ky është një sistem që nuk investon aty ku prodhohet zhvillim, por aty ku prodhohet propagandë. Nuk ndërton ekonomi të qëndrueshme, por shfaqje të përkohshme.

Nuk punon për shumicën, por për një pakicë që përfiton nga çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo rialokim buxhetor”, deklaroi Tabaku. Sipas saj, çështja nuk është më vetëm financimi i një koncerti, por ekzistenca e një modeli të tërë qeverisjeje. “Një model që financon fasadën dhe braktis ekonominë reale. Një model që shpëton spektaklin, por jo pensionistin.

Një model që prodhon borxh për qytetarët dhe privilegje për pakicën. Një model që u merr shumicës për t’i shërbyer sistemit”, u shpreh deputetja demokrate. Tabaku deklaroi se e vetmja rrugë për të ndryshuar këtë model është largimi i qeverisë dhe çmontimi i sistemit ekonomik dhe politik që ajo ka ngritur.

“Ndërsa Kuvendi përgatitet të ngrejë dorën për një tjetër rialokim buxhetor që nuk u shërben shqiptarëve, ai nuk po financon thjesht një koncert. Po financon fasadën e një sistemi arrogance, klientelizmi dhe korrupsioni që tashmë nuk përpiqet as ta fshehë fytyrën”, përfundoi Tabaku.

Burimi: Bota Sot