Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), nuk i dhanë dritën e gjelbër hapjes së Kapitullit të 3-të në negociatat me Serbinë gjatë takimit të sotëm në Bruksel.
Bëhet fjalë për një dokument jozyrtar (non-paper) të Komisionit Evropian, në të cilin rekomandohet hapja e Kapitullit të 3-të në negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Për këtë rekomandim kishte folur ditët e fundit edhe komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, shkruan nova.rs.
Sipas burimeve diplomatike, tetë shtete anëtare të BE-së u shprehën kundër lejimit të këtij hapi të ri në procesin e integrimit evropian të Serbisë. Në mesin e tyre janë Holanda, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Suedia, si dhe tri shtetet baltike – Estonia, Lituania dhe Letonia.
Sipas informacioneve jozyrtare, çështja e hapjes së Kapitullit të 3-të pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e Këshillit të BE-së për Punë të Jashtme, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, e cila është caktuar të mbahet më 13 korrik. Megjithatë, aktualisht nuk ka shenja se vendet kundërshtuese do të ndryshojnë qëndrim.
Komisioni Evropian kishte rekomanduar më herët gjatë këtij muaji që shtetet anëtare të miratonin hapjen e Kapitullit të 3-të, duke vlerësuar se, edhe pse jo të gjitha prioritetet politike janë përmbushur plotësisht, Beogradi ka bërë përparim të mjaftueshëm për të kaluar në fazën e radhës të negociatave të anëtarësimit.
Ky vlerësim u mbështet në një dokument informues të Komisionit Evropian, si dhe në një dokument të veçantë që Qeveria e Serbisë ua dërgoi më 3 korrik vendeve anëtare të BE-së.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi gjatë debatit të mbrëmshëm në Parlamentin Evropian se hapat e fundit të reformave të ndërmarra nga qeveria serbe ishin baza mbi të cilën Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e Kapitutllit të 3-të.
Ajo theksoi se është shënuar përparim në zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, ndërsa zhvillimet e fundit lidhur me funksionalizimin e Trupit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) janë inkurajuese.
