Punonjësit e RTK-së ende pa paga të qershorit, Fedarata Sindikale

0%

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) deri më sot, () ende nuk i kanë pranuar pagat e tyre për muajin qershor. Në një njoftim që punëtorët e RTK-së e kanë marrë më thuhet se kjo vonesë është shkaktuar për shkak se buxheti i RTK-se për 6 mujorin e dytë ende nuk është transferuar nga Thesari i shtetit.

“Për shkak se Kuvendi nuk është funksional, është paraqitur kërkesë drejtpërdrejt të institucionet përkatëse për rialokimin e buxhetit për gjashtëmujorin e dytë”- thuhet në njoftimin drejtuar punëtorëve të RTK-së të siguruar nga KALLXO.com Mos pranimin e pagave Federata Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) e ka quajtur të papranueshme.

Kjo federatë ka thënë se nuk do të lejojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në normalitet në RTK duke theksuar se kjo nuk është hera e parë. “Sot është 6 korrik dhe punëtorët e RTK-së ende nuk i kanë marrë pagat e tyre. Kjo është e papranueshme. Edhe më shqetësues është fakti se kjo nuk është hera e parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vetëm muajin e kaluar, Federata Sindikale u detyrua të organizojë protesta për të njëjtën arsye, mosrealizimin e pagave. Shpresuam se ai do të ishte një alarm serioz për drejtuesit e institucionit, e jo fillimi i një praktike të rrezikshme. Nuk do të lejojmë që vonesa e pagave të shndërrohet në normalitet në RTK”- kanë thënë nga Federata Sindikale e RTK-së.

Ata thonë se Bordi dhe Menaxhmenti kanë dështuar të jenë transparentë dhe llogaridhënës. “Heshtja dhe mungesa e veprimit nuk janë më të tolerueshme. Durimi i punëtorëve ka marrë fund”- theksojnë ata. Fedarata Sindikale e RTK-së ka theksuar se do të nisë pa asnjë hezitim përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe procedurave ligjore.

Masa këto që do të përfshijnë veprime sindikale dhe shfrytëzimin e të gjitha mjeteve juridike për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. “Çdo pasojë në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e plotë e Bordit dhe Menaxhmentit. Paga nuk është privilegj, favor apo çështje vullneti. Ajo është e drejtë e fituar me punë dhe e garantuar me ligj.

Dinjiteti i punëtorëve nuk negociohet.Punëtorët e RTK-së nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë dhe neglizhencës së Bordit e Menaxhmentit. Federata Sindikale do të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe nuk do të ndalet deri në përmbushjen e obligimeve ndaj çdo punëtori”- vazhdon reagimi i tyre.

KALLXO.com më ka drejtuar pyetje tek ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së RTK-së, Zana Spahiu në lidhje me mos pagesën e punëtorëve por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Burimi: Kallxo