Një fshat peshkimi pranë Liqenit të Komos ka vendosur gjoba deri në 200 euro për njerëzit që dalin pa kanotiere, ose me rroba të poshtme larjeje, në përpjekje që të mos lejohen pushuesit të vishen pahijshëm, raporton gazeta “The Guardian” .
Varena ka ndjerë presionin nga numër në rritje i vizitorëve dhe për këtë arsye autoritetet janë detyruar të caktojnë rregulla të reja që synojnë ruajtjen e pamjes së fshatit dhe garantimin e njëfarë qetësie e paqeje për popullsinë vendase gjatë gjithë vitit në vendbanimin prej 650 banorësh.
Ecja nëpër fshat pa bluzë ose me rroba larjeje – veshje që janë të rezervuara rreptësisht për plazhet buzë liqenit, a për udhëtimet me varka në Komo – është tashmë e ndaluar. Ata që nuk i zbatojnë rregullat rrezikojnë të gjobiten prej 50 deri në 200 euro.
Për më tepër, grupet turistike janë kufizuar në jo më shumë se 25 persona dhe nuk duhet të bllokojnë rrugët e ngushta me kalldrëm të Varenës, ndërsa guidave u është ndaluar përdorimi i altoparlantëve. “Varena është fshat i mrekullueshëm dhe jemi krenarë që mirëpresim qindra mijëra vizitorë nga krejt bota çdo vit”, ka thënë Mauro Manzoni, kryetari i Varenës.
“Megjithatë, cilësia e jetës së banorëve tanë nuk mund të sakrifikohet në altarin e turizmit masiv”. Rregullat kanë hyrë në fuqi prej disa ditësh dhe duket se janë pranuar menjëherë nga ata që jetojnë në Varena, veçanërisht kodi i veshjes.
“Në plazh, mund të bësh çfarë të duash, por kur shëtit përreth dhe shkon në dyqane, restorante, kisha ose në shesh, duhet të vishesh mirë”, ka thënë një pronar dyqani për TGCom24 të Mediaset. Një tjetër pronar dyqani ka thënë: “Është koha e duhur; është masë e mirëpritur. Gjëja e rëndësishme është të sigurohet që të zbatohet”.
Shumë qytete dhe qytete në të gjithë Italinë kanë vendosur masa të ngjashme, derisa po mundohen të menaxhojnë turizmin e tepërt. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
