Shpërndaje në: Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas dëmtimit të një pjese të Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti”, duke e quajtur sulm ndaj historisë sonë dhe kujtesës kolektive. Hoti ka kërkuar që ky rast të trajtohet me seriozitet të madh nga institucionet e drejtësisë pasi rastet e tilla janë shpeshtuar së fundmi.
“Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë.
Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti”, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Institucionet e Drejtësisë”, ka thënë mes tjerash Hoti në Facebook.
Policia e Kosovës, ka njoftuar të mërkurën se ka nisur hetimet për një rast të dëmtimit të pronës në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është raportuar për periudhën nga 30 maji deri më .
Pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në objektin përcjellës, përkatësisht në kullë, kanë konstatuar disa dëmtime në tavan dhe në korridorin e objektit.
