Jude Bellingham e shijon rolin e lojtarit që bie në sy dhe dëshiron të jetë “njeriu kryesor” i Anglisë, ka thënë Des Walker për GOAL. Sipas ish-mbrojtësit anglez, superylli i “Tre Luanëve” tashmë mund të vendoset në të njëjtën kategori me talente brezash si Wayne Rooney dhe Paul Gascoigne.
Bellingham, sipas tij, ka një lloj “arrogance” pozitive, një vetëbesim që e ndihmon të shkëlqejë në Kupën e Botës 2026. Bellingham shkëlqen për Anglinë në Botëror Duke parë paraqitjet e tij në Amerikën e Veriut, duket pothuajse e pabesueshme që para turneut kishte pyetje edhe për vetë praninë e Bellinghamit në skuadrën e Thomas Tuchelit.
Me Morgan Rogers që ofronte konkurrencë serioze për pozitën e numrit 10, ndërsa lojtarë si Phil Foden, Cole Palmer dhe Morgan Gibbs-White mbetën jashtë skuadrës, presioni ra mbi supet e yllit të Real Madridit. Por Bellingham, pas festimit tashmë ikonik “kush tjetër?” në Euro 2024, ka treguar sërish se është lojtar për momentet e mëdha.
Ai ua ka mbyllur gojën atyre që nxituan ta vinin në dyshim, duke qenë vendimtar për Anglinë në këtë Botëror. Ai hapi llogarinë e golave në Kupën e Botës 2026 duke e rikthyer Anglinë në epërsi në fitoren 4-2 ndaj Kroacisë, një nisje ideale për “Tre Luanët”.
Më pas, ishte pikërisht ai që zhbllokoi ndeshjen e vështirë ndaj Panamasë, para se të shpërthente në fazën e 1/8 së finales kundër Meksikës. Me dy gola të shpejtë në atë përballje, të luajtur në lartësi dhe përballë një publiku të zjarrtë vendas në stadiumin “Azteca”, Bellingham ndihmoi Anglinë të arrinte një nga fitoret më të paharrueshme në historinë e saj në Kupën e Botës.
Pse Bellingham krahasohet me Gazza dhe Rooney Bellingham vazhdon të prodhojë momente vendimtare. Në moshën 23-vjeçare, ai ka aftësinë të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve me shpërthime individuale, një cilësi që e afron me figura të mëdha dhe enigmatike të futbollit anglez si Paul Gascoigne dhe Wayne Rooney.
I pyetur nëse Bellingham meriton të shihet në atë nivel, ish-mbrojtësi Des Walker tha për GOAL: “Jude shfaqet në skenë në ndeshjet e rëndësishme, në momentet e rëndësishme. Këtë e bënte Rooney, këtë e bënte Gazza, këtë e bëjnë të gjithë lojtarët e mëdhenj.” Walker theksoi edhe anën fizike të Bellinghamit, duke e cilësuar atë si një atlet të jashtëzakonshëm. “Ai është një atlet suprem.
Ndoshta është atleti më i mirë në botë, për sa i përket vrapimit që mund të bëjë dhe fuqisë që ka nga minuta e parë deri në të fundit. Dhe mbi të gjitha, kur Jude futet në zonë, futet për një arsye. Nuk shkon aty thjesht për të plotësuar numrin, shkon për të shënuar gol.” Sipas Walker, kjo është një armë e madhe për Anglinë, sepse përgjegjësia për golat nuk bie vetëm mbi Harry Kanen.
“Në çdo ndeshje që luan, Jude shkon për të shënuar. Me fuqinë, atletizmin dhe dëshirën e tij për të fituar, ai hyn në kategorinë e më të mirëve në botë”, shtoi ai. “Show-off” dhe “kokëmadh”? Për Bellinghamin kjo është pozitive I pyetur nëse Bellingham e shijon vërtet presionin dhe vëmendjen e madhe, Walker, i cili luajti për Anglinë në Botërorin 1990, ishte i qartë: “Patjetër.
Ai është njeriu kryesor. Ai e shijon përpjekjen për të qenë njeriu kryesor. Mendoj se kjo e frymëzon. Ai dëshiron të jetë ai që bie në sy, ai që duket si ‘kokëmadh’.” Megjithatë, Walker thekson se ky vetëbesim ka vlerë vetëm nëse shfaqet në fushë. “Është në rregull të jesh kokëmadh dhe të duash të biesh në sy, por duhet ta tregosh këtë në fushë.
Ai e bën këtë, dhe kjo është forca e tij.” Sipas tij, në sport, arroganca në dozën e duhur është e nevojshme. “Nëse përpiqesh t’ia kufizosh këtë, i merr gjysmën e lojës. Në sport, ne e quajmë arrogancë, por arroganca të duhet.
Kemi parë shumë lojtarë që jashtë fushe flasin më shumë se të gjithë, ecin sikur janë futbollistët më të mirë në botë, por kur vjen e shtuna dhe përballen me skuadra të forta, zhduken. Jude nuk zhduket.” Bellingham dhe Kane udhëheqin ëndrrën e Anglisë Bellingham nuk është fshehur dhe nuk ka munguar në momentet e mëdha për Anglinë në këtë mision të ri drejt lavdisë botërore.
Nëse pritja 60-vjeçare e Anglisë për një trofe të madh do të marrë fund këtë verë, Bellingham do të jetë në qendër të gjithçkaje. Natyrisht, edhe të tjerët po japin kontributin e tyre, përfshirë kapitenin dhe golashënuesin rekord Harry Kane.
Por është pikërisht Bellingham, një djalë nga Birmingham me të njëjtin mentalitet fitues si Rooney dhe Gascoigne, që është ngritur si forcë shtytëse e kësaj skuadre. Vetëbesimi i tij i palëkundur, në vend që të jetë problem, është kthyer në një nga armët më të mëdha të Anglisë.
