Për herë të parë në QKUK realizohen me sukses operime

0%

Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve mjekësore në vend. Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrjet janë kryer më 6 dhe 7 korrik, në bashkëpunim me neurokirurgun nga Gjermania, Dr.

Gousias Konstantinos, i cili ka udhëhequr procedurat së bashku me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë. Gjatë kësaj vizite janë realizuar me sukses dy operime të avancuara, përkatësisht heqja e një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me të njëjtën teknikë.

Në të dy ndërhyrjet është përdorur edhe neuronavigatori, pajisje moderne që gjendet në Klinikën e Neurokirurgjisë dhe që mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacioneve. Sipas QKUK-së, përdorimi i kësaj teknologjie rrit sigurinë e procedurave kirurgjikale dhe mundëson kryerjen e ndërhyrjeve me precizion të lartë, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Institucioni ka bërë të ditur se të dy pacientët e operuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit mjekësor. Përveç aspektit klinik, vizita e neurokirurgut nga Gjermania është vlerësuar edhe për rëndësinë e saj profesionale dhe edukative.

Gjatë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative kanë marrë pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.

QKUK vlerëson se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve që u ofrohen pacientëve në Kosovë.

Burimi: Telegrafi