Me “varjen e dorezave në gozhdë” nga Alban Hoxha, merr fund edhe cikli i parë i futbollistëve të epokës “Demi” te Partizani. Ish-portieri kuqezi ishte lojtari i vetëm që përjetoi të plotë 13 vitet e presidencës së Gaz Demit, i cili mori drejtimin dhe financimin e klubit pas rikthimit të Partizanit në Kategorinë Superiore në verën e vitit 2013.
Në këto 13 sezone, Hoxha u bë shumë më tepër se një portier. Ai ishte simboli i stabilitetit, lideri i dhomave të zhveshjes dhe një nga figurat më të dashura për tifozët e kuq. Si kapiten, ai përjetoi momentet më të rëndësishme të klubit, duke ngritur dy herë trofeun e kampionit dhe duke fituar edhe një Superkupë të Shqipërisë.
Përveç trofeve, Alban Hoxha la pas edhe rekorde që kanë hyrë në historinë e futbollit shqiptar. Më i spikaturi mbetet ai i 1084 minutave pa pësuar gol, duke thyer rekordin e legjendës së Elbasanit, Bujar Gogunja. Mes momenteve më të paharrueshme të karrierës së tij mbetet kualifikimi historik ndaj Ferencvaroshit në Budapest, në raundet eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Hoxha ishte protagonist absolut në serinë e penalltive, duke pritur goditje vendimtare, por edhe duke shënuar vetë nga pika e bardhë, në një nga netët më të lavdishme të historisë së Partizanit në arenën europiane. Po aq të veçanta mbeten edhe sukseset në derbet ndaj Tiranës, ku pritjet e tij shpesh rezultuan vendimtare dhe e kthyen në një nga figurat më të dashura për tifozërinë e kuqe.
Megjithatë, për Alban Hoxhën nuk bëhet fjalë për një lamtumirë. Partizani ka vendosur ta mbajë pranë klubit, duke i besuar detyrën e trajnerit të portierëve. Kështu, mbyllet një kapitull i artë i karrierës së tij si futbollist, por hapet një tjetër sfidë, këtë herë në pankinë, aty ku legjenda e kuqe do të vazhdojë t’i shërbejë klubit që e bëri ikonë.
