Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan është bërë cak i dëmtimit, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 7 korrik, rreth orës , pasi është konstatuar se persona ende të paidentifikuar kanë shkaktuar dëmtime në objektin përcjellës të kompleksit memorial.
Sipas informacioneve, dëmtimet janë vërejtur në tavanin e korridorit dhe në disa dhoma të objektit, i cili është pronë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë nisur mbledhjen e provave.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, në konsultim me Prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”. Deri më tani nuk ka persona të identifikuar, ndërsa hetimet për zbulimin e autorëve janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
