Dy persona, vëllezër mes vete, janë arrestuar në Prishtinë pasi dyshohen se kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes së policisë. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur dje, kur të dyshuarit janë hasur duke u grushtuar mes vete. Policia bën të ditur se të dyshuarit nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe më pas i kanë sulmuar fizikisht edhe ata.
Si pasojë e incidentit, trajtim mjekësor kanë pranuar si zyrtarët policorë, ashtu edhe dy të dyshuarit. “Janë arrestuar dy të dyshuar (vëllezër), pasi të njëjtit janë hasur duke e sulmuar-grushtuar njëri-tjetrin. Të dyshuarit, në vendin e ngjarjes nuk u janë bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe i kanë sulmuar e goditur fizikisht edhe zyrtarët policorë.
Tretman mjekësor kanë pranuar zyrtarët policorë dhe të dyshuarit”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit, të cilët ishin në gjendje të dehur, janë dërguar në mbajtje, ndërsa intervistimi i tyre pritet të bëhet pasi të këndellen. Rasti është duke u hetuar.
