Universi poetik i dhembjes, kujtesës dhe dashurisë në veprën “Damka e

0%

Pas një rrugëtimi letrar të ndërtuar përmes gjashtë vëllimeve poetike, autori arrin ta zgjerojë horizontin e tij shprehës edhe në fushën e prozës poetike, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e vet lirik, përvoja e fituar në krijimtarinë poetike reflektohet qartë në ndërtimin e figurës, në pasurinë metaforike, në ndjeshmërinë e ligjërimit dhe në aftësinë për ta shndërruar përjetimin individual në përvojë estetike.

Letërsia bashkëkohore shqiptare vazhdon të dëshmojë se përvoja individuale, kur përpunohet artistikisht, mund të shndërrohet në vlerë universale.

Në këtë kuadër, vepra “Damka e Sinorit të Madh” e autorit Rijad Berisha paraqitet si një nga realizimet më karakteristike të prozës poetike bashkëkohore, duke ndërtuar një univers artistik ku dashuria, mungesa, kujtesa, pritja, zhgënjimi dhe vetmia shndërrohen në kategori estetike dhe filozofike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Që në titull, autori e vendos lexuesin përballë një simbolike të fuqishme: “damka” si shenjë e pashlyeshme e përvojës jetësore dhe “sinori” si kufi real e metafizik ndërmjet asaj që është humbur dhe asaj që vazhdon të jetojë në kujtesë.

Vepra ndërtohet përmes një vargu prozash poetike që funksionojnë si njësi të pavarura artistike, por që lidhen organikisht nga një bosht tematik dhe emocional i përbashkët, nuk kemi të bëjmë me një subjekt linear apo me një narracion klasik, por me fragmente shpirtërore që formojnë mozaikun e një drame të brendshme.

Kjo teknikë kompozicionale e afron veprën me modelet moderne të prozës poetike evropiane, ku përparësi nuk merr rrëfimi, por intensiteti emocional dhe ngarkesa figurative.

Një nga dimensionet më të rëndësishme të veprës është figura e subjektit lirik, paraqitet si një qenie e lënduar, e vendosur në kufirin ndërmjet kujtesës dhe realitetit, thuajse në të gjitha prozat poetike, subjekti bart një plagë të brendshme që nuk shërohet, por që shndërrohet në burim të krijimit artistik.

Dashuria nuk paraqitet si përmbushje, por si mungesë, pikërisht mungesa bëhet energjia kryesore e ligjërimit poetik, në këtë aspekt, autori ndërton një poetikë të humbjes, ku kujtimi është më i fuqishëm sesa vetë prania.

Kjo vërehet qartë në prozat poetike te Rijad Berishes “Të pathënat për ty”, “Portreti i rragatës”, “Trishtimi i dritares”, “Alkimia e qenies” dhe shumë pjesë të tjera ku dashuria ekziston më tepër si kujtim sesa si realitet.

Element shumë të veçantë është sistemi metaforik i veprës, Rijad Berisha nuk ndërton figura të zakonshme poetike, e krijon një rrjet të tërë metaforash që funksionojnë si kode kuptimore të botës së tij artistike si p.sh pema, lumi, guri, zogu, hëna, drita, gjaku, plagët, loti dhe rruga janë simbole që përsëriten vazhdimisht dhe marrin funksione të reja semantike.

Këto nuk janë elemente dekorative, por bartëse të kuptimeve ekzistenciale p.sh “lumi” shpesh simbolizon kohën dhe rrjedhën e jetës, “zogu” identifikohet me lirinë dhe humbjen, ndërsa “guri” shndërrohet në figurë të qëndrueshmërisë dhe dhembjes së ngrirë në kujtesë. Kjo simbolikë e pasur e bën librin shumëdimensional dhe kërkon një lexim interpretativ, larg leximit sipërfaqësor.

Një vlerë shumë e veçantë e veprës është gjuha artistike, autori shfaq një prirje të theksuar për eksperimentim leksikor dhe fjalëformim individual, krijime si “zogmalli”, “shërimplaga”, “kujtimikje”, “zjarrmalli”, “vajloti”, “pragpritja”, “gurësinori” e shumë të tjera, dëshmojnë për një vetëdije të lartë krijuese në raport me gjuhën, neologjizmat nuk janë krijuar për efekt të jashtëm stilistik, por Rijad i “lind” si nevojë për të emërtuar gjendje emocionale që nuk mund të shprehen përmes fjalorit të zakonshëm.

Në këtë aspekt, Berisha dëshmon prirje për individualizim stilistik dhe krijon një idiomë personale poetike që përbën një nga veçoritë më dalluese të veprës.

Nga aspekti estetik, libri karakterizohet nga një lirizëm i vazhdueshëm, autori arrin ta ruajë tensionin emocional pothuajse në secilen prozë poetike, edhe kur trajton motive të zakonshme si ndarja, pritja apo zhgënjimi, ai arrin t’u japë atyre një dimension artistik përmes figuracionit të pasur dhe ritmit të brendshëm.

Në planin tematik, dashuria zë vendin qendror, megjithatë, nuk kemi të bëjmë me një dashuri sentimentale apo romantike në kuptimin tradicional, dashuria në këto proza poetike, shfaqet si fat, si barrë, si vuajtje, si shpresë dhe si mënyrë ekzistence.

Në disa raste ajo identifikohet me lirinë, siç shprehet autori kur pohon se “dashuria nuk qenka puthje, por liri”, e zhvendos konceptin e dashurisë nga niveli emocional në një nivel më të thellë filozofik dhe antropologjik.

Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni refleksiv i veprës, përtej historisë së dashurisë, libri flet për njeriun bashkëkohor, për vetminë e tij, për luftën e brendshme, për raportin me kohën dhe me kujtesën. Në shumë proza Berisha shfaq një vetëdije ekzistencialiste, ku jeta dhe vdekja, shpresa dhe dëshpërimi, qëndrojnë përballë njëra-tjetrës në një dialog të pandërprerë.

Kjo e pasuron veprën me dimensione filozofike dhe e largon nga një lexim thjesht emocional. “Damka e Sinorit të Madh” dëshmon se Rijad Berisha zotëron një ndjeshmëri të veçantë artistike dhe një aftësi të spikatur për ta shndërruar përvojën personale në tekst letrar.

Vepra paraqet një univers të ndërtuar mbi kujtesën, mungesën dhe dashurinë, ku fjala poetike bëhet mjeti kryesor i mbijetesës shpirtërore. Përmes një gjuhe të pasur figurative, një simbolike të dendur dhe një lirizmi të pandërprerë, autori arrin të krijojë një vepër që jo vetëm lexohet, por përjetohet.

Në këtë kuptim, “Damka e Sinorit të Madh” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e prozës poetike shqiptare bashkëkohore dhe e vendos autorin ndër zërat premtues të kësaj forme letrare. “Damka e Sinorit të Madh”

Burimi: Bota Sot