Një protestuese ka kundërshtuar vendimin e qeverisë për financimin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West në Tiranë, duke deklaruar se fondi do të paguhet nga qytetarët shqiptarë, edhe pse ata nuk do shkojnë. Siç tha ajo, fondi është përdorur për të mbuluar kostot e koncertit pasi qytetarët e kanë bojkotuar atë.
“Sot, çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për biletën e koncertit, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert. Një pensionist në fshat, një i sëmurë në spital, do të paguajnë këto para edhe pse nuk do të shkojnë në atë koncert” , deklaroi protestuesja.
Po ashtu, ajo u shpreh se kryeministri Rama, i cili pretendon se protestuesit poshtë zyrës së tij janë antisemitë, antiizraelitë dhe antiamerikanë, po sjell në Shqipëri me 4 milionë euro një këngëtar antisemit. Protestuesja: Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës, fondin që nuk e ka zhbllokuar kurrë, as kur ra tërmeti, as kur ka pasur përmbytje çdo vit në çdo cep të Shqipërisë.
E dini pse e kanë bllokuar këtë fond emergjence? Për të paguar biletat e koncertit të Kanye West, sepse ju e bojkotuat koncertin. Sot, çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për biletën e koncertit, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert. Sot, një foshnjë që pi qumësht në gjirin e nënës do të paguajë 2 euro për koncertin e Kanye West.
Sot, një plak pensionist në fshat, të cilit rritja e pensionit i ishte vetëm 2200 lekë të vjetra, do t’i paguajë këto para këtë herë për biletën e Kanye West. Një i sëmurë në spital, përveç 2 mijë lekëve që i jep pastruesit që t’i heqë plehrat nga dhoma, do të paguajë edhe biletën e Kanye West, edhe pse nuk do të shkojë në këtë koncert.
Madje, edhe një i sëmurë në reanimacion, që mund të jetë në momentet e fundit të jetës, do të paguajë 2 mijë lekëshin e tij të fundit për koncertin e Kanye West, edhe pse nuk do të shkojë në atë koncert. Sot, çdo njeri që na shikon nga divani, këtu në protestë, do të paguajë 2 mijë lekë të vjetra për koncertin.
Qeveria zhbllokoi 4 milionë euro sepse koncerti ishte një dështim spektakolar, megjithëse bëri një reklamë të madhe, duke filluar që nga Belinda Balluku çdo ditë. Atëherë, Kanye West është një këngëtar me prirje antisemite dhe naziste. Ai ka një këngë që quhet “Rroftë Hitleri”. Bluzat e tij janë të famshme.
Sot mediat kanë nxjerrë një lajm ku Kanye West, jo më shumë se dje, ka performuar me një bluzë në koncert. Edi Rama, që pretendon se jemi antisemitë, antiizraelitë dhe antiamerikanë, po sjell në Shqipëri me 4 milionë euro tuajat një këngëtar antisemit.
Edhe ne, “sorrat dhe korbat e bulevardit”, siç na quan Rama, do të paguajmë edhe pse nuk do të shkojmë kurrë në koncert, sepse e kemi bojkotuar, sepse kemi ardhur këtu në protestë.
