Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka konstatuar një rritje shqetësuese të komenteve raciste dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale gjatë Kupës së Botës 2026, krahasuar me Botërorin e vitit 2022 në Katar, raporton transmetuesi publik zviceran SRF.
Sipas raportimit, fenomeni po shndërrohet në një problem serioz dhe po prek drejtpërdrejt edhe futbollistët e Kombëtares së Zvicrës, të cilët shpesh bëhen objekt i sulmeve për shkak të ngjyrës së lëkurës ose prejardhjes së tyre, veçanërisht pas rezultateve zhgënjyese të ekipit.
Sulmet në rrjetet sociale u intensifikuan menjëherë pas ndeshjes së parë të Zvicrës në këtë Botëror, e cila përfundoi 1:1 ndaj Katarit, pasi zviceranët pësuan gol në sekondat e fundit të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, profile të shumta publikuan komente me përmbajtje raciste ndaj lojtarëve të Zvicrës, ndërsa në mesin e të shënjestruarve ishte edhe sulmuesi i ri, Johan Manzambi.
Situata ka detyruar Federatën Zvicerane të Futbollit (SFV) të ndërmarrë masa mbrojtëse për lojtarët e saj. Zëdhënësi i SFV-së, Adrian Arnold, bëri të ditur se federata ka vendosur të zbatojë një politikë të tolerancës zero ndaj gjuhës së urrejtjes.
Sipas tij, menaxherët e rrjeteve sociale të federatës bllokojnë në mënyrë proaktive hapësirat e komenteve në platformat zyrtare sapo konstatohet një valë sulmesh.
Arnold theksoi se federata nuk mjaftohet vetëm me fshirjen e komenteve apo bllokimin e profileve, por çdo rast abuziv, email apo letër anonime që përmbush kriteret e veprave penale të racizmit i përcillet policisë për ndjekje ligjore përmes departamentit juridik.
Nga ana tjetër, zyrtarët zviceranë vlerësojnë se luftimi i këtij fenomeni mbetet jashtëzakonisht i vështirë për sa kohë që platformat e mëdha të rrjeteve sociale lejojnë hapjen e profileve anonime pa barriera më të forta identifikimi.
Për këtë arsye, Federata Zvicerane e Futbollit u ka bërë sërish thirrje kompanive të teknologjisë që të marrin më shumë përgjegjësi ligjore për të frenuar këtë trend, i cili po dëmton imazhin e sportit më të ndjekur në botë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
