Dënohet me një vit burg 16-vjeçari që sulmoi me thikë një hebre në

0%

Gykata e të miturve në Dielsdorf afër Zürichut ka dhënë dënimin më të lartë të mundshëm ligjor ndaj adoleshentit 16-vjeçar, i cili në mars të vitit 2024 kreu një sulm të përgjakshëm me thikë ndaj një besimtari ortodoks hebre në qytetin e Zürichut, duke e plagosur rëndë. Ky sulm u cilësua nga autoritetet si një akt antisemit dhe terrorist.

Sipas legjislacionit zviceran për të miturit, dënimi maksimal për këtë grupmoshë është një vit privim lirie. Gjykata në Dielsdorf e aplikoi këtë dënim, por krahas tij vendosi edhe një masë shumë të rreptë të mbrojtjes institucionale: i dënuari do të qëndrojë i mbyllur në një institucion të sigurisë së lartë për të miturit për një kohë të papërcaktuar.

Kjo masë mund të zgjatet automatikisht çdo vit bazuar në shkallën e rrezikshmërisë, dhe mund të mbetet në fuqi edhe pasi ai të ketë mbushur 25 vite. Adoleshenti me nënshtetësi zvicerane dhe me prejardhje nga Tunizia, ishte radikalizuar në internet përmes propagandës së organizatës terroriste “Shteti Islamik”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Para se të ndërmerrte sulmin brutal, ai kishte regjistruar një video ku i betohej për besnikëri rrymës terroriste. Gjatë hetimeve doli në dritë se ai ishte parë të frekuentonte edhe një xhami të komunitetit shqiptar në Zürich, ndonëse përfaqësuesit e saj u distancuan menjëherë. Gjatë gjykimit, autori nuk shfaqi asnjë pendesë. Ky akt kriminal nuk mbeti i vetmi në zonën e Zürichut.

Në fillim të këtij viti, u krye një tjetër sulm antisemit. Sipas policisë zvicerane, një hebre 26-vjeçar u godit me grushte në një lagje që banohet nga ky komunitet. Autori i këtij sulmi ishte një kosovar 40-vjeçar, i cili nuk kishte një vendbanim të përhershëm në Zvicë. Përpara se ta godiste, sulmuesi e kishte fyer rëndë viktimën duke përdorur terma antisemitë.

Kosovari u neutralizua dhe u mbajt me forcë nga disa kalimtarë të rastit që nxituan për ndihmë, derisa në vendngjarje mbërriti policia që bëri arrestimin e tij. Viktima fatmirësisht pësoi vetëm lëndime të lehta, ndërsa autori po përballet me drejtësinë. Urrejtja dhe sulmet ndaj komuniteteve hebraike në Zvicër dhe gjetiu në Europë janë shtuar ndjeshëm.

Kjo valë e re agresioni u ndez fill pas sulmit terrorist të Hamasit kundër civilëve në Izrael në tetor të vitit 2023, gjë që pasoi me operacionin ushtarak të shtetit izraelit në Rripin e Gazës të shoqëruar me krime të gjera lufte ndaj palestinezëve, sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Burimi: Telegrafi