Ekspertët: Rezultatet e Testit të Arritshmërisë pasqyrojnë të njëjtin

0%

Mbi 21 mijë nxënës iu nënshtruan këtë vit Testit të Arritshmërisë, ndërsa rezultatet e publikuara nga Ministria e Arsimit tregojnë një mesatare prej 48.35 për qind në nivel vendi. Ekspertët vlerësojnë se nuk ka përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa MASh thotë se rezultatet do të shërbejnë për planifikimin e reformave në arsim.

Një ditë pas publikimit të rezultateve për nxënësit e klasave të nënta nga testi i arritshmërisë, është hapur konkursi për regjistrimin e tyre në klasat e dhjeta, i cili ka nisur sot e që do të zgjasë deri më 9 korrik. Mbi 21 mijë nxënës iu nënshtruan këtë vit testit të Arritshmërisë.

Sipas rezultateve të publikuara nga Ministria e Arsimit, mesatarja në nivel vendi ishte 48.35% apo nën 50%. Rezultatet më të mira u shënuan në gjuhën angleze, histori dhe Gjuhë Shqipe. Ndërkaq, arritshmëria më e ulët është evidentuar në Kimi, Matematikë, pasuar nga Biologjia Fizika, Informatika dhe Gjeografia.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ekspert të arsimit vlerësojnë se këto rezultate ndjekin të njëjtin trend si në vitet paraprake. “Rezultatet janë të njëjta sikurse në testimin paraprak dhe nuk ka ndonjë ndryshim substancial.

Vërehet një trend i rënies së performancës, veçanërisht në gjuhën shqipe, dhe kjo tregon nevojën për një vëmendje më të madhe nga institucionet, për të garantuar që nxënësit po marrin njohuritë e duhura në këto fusha kryesore”, thotë Rinor Qehaja, ekspert i Arsimit.

Megjithatë, drejtues të shkollave thonë se fokusi i tyre mbetet angazhimi për një performance sa më të lartë të nxënësve “Në çdo vit e mbajmë edhe testin e brendshëm të arritshmërisë. Në prag të përfundimit të testimit bëjmë një analizë të thellë të rezultateve, si dhe analizojmë pikët e testit të arritshmërisë.

Pastaj, këto analiza i bëjmë edhe në muajin gusht, ku vlerësojmë rezultatet për vitin paraprak dhe ato na shërbejnë për të identifikuar ngecjet dhe për të parë arritjet”, tha Visar Osmani, drejtor i shkollës “Emin Duraku”.

Edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka theksuar se rezultatet e Testit të Arritshmërisë ofrojnë një pasqyrë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në përmirësimin e cilësisë në arsim.

Burimi: Bota Sot