Kampioni i Kosovës, Drita e Gjilanit, është kthyer ballëlart nga Kaunasi i Lituanisë, pasi në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues për Champions League ka barazuar me rezultat 1:1 me Kauno Zalgirisin. Skuadra gjilanase ka siguruar një rezultat shumë të favorshëm për sfidën e kthimit. Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 25-të, kur Amine Benchaib realizoi për 1:0.
Drita nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit. Përpjekjet e saj u shpërblyen në minutën e 82-të, kur Raddy Ovouka dërgoi një krosim të shkëlqyer në zonë, ndërsa Blerim Krasniqi u ngrit më së larti dhe me një goditje të saktë me kokë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1:1.
Ky barazim i jep Dritës gjasa të mëdha për ndeshjen e kthimit, ku me përkrahjen e tifozëve do të synojë ta sigurojë kalimin në raundin e dytë.
