DokuFest mbahet prej 7 deri më 15 gusht, u përzgjodhën 104 filma në 8

0%

DokuFest shpall të gjithë filmat në garë për këtë 25-vjetor jubilar. Prej numrit rekord të filmave të dërguar prej 3687 filmash për t’u marrë konsideratë nga festivali, ekipi i programuesve ka përzgjedhur 104 filma të cilat do të garojnë në 8 kategori, e një pjesë e mirë prej tyre janë premiera botërore, ndërkombëtare dhe evropiane duke e fuqizuar statusin e DokuFest-it si një hapësirë e rëndësishme për njohje dhe vlerësim të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër në këtë anë të botës.

“Me këtë përzgjedhje, DokuFest vazhdon traditën e sjelljes së filmave më të rinj dhe më guximtarë të vitit, duke trajtuar njëkohësisht disa nga çështjet më urgjente dhe më të mprehta globale mes tyre.

Jemi të entuziazmuar që këtë vit prezantojmë një përzgjedhje të jashtëzakonshme kineastësh në ngritje dhe mezi presim të shohim reagimin e publikut ndaj veprave të tyre novatore”, thuhet në njoftim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ka ardhur më në fund momenti për të ndarë përzgjedhjen e filmave në garë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të prezantoj kaq shumë filma për të cilët jemi kujdesur dhe kemi menduar gjatë, filma që na befasuan dhe të tjerë që na kanë prekur thellësisht. Por, mbi të gjitha, filma që pasqyrojnë botën e trazuar në të cilën jetojmë.

Sepse bota është në flakë dhe shumë kineastë i përgjigjen këtij momenti kataklizmik me filma që, në njëfarë mënyre, i bëjnë edhe vetë të marrin flakë: qoftë duke trajtuar vetë elementin e zjarrit, pasojat shkatërrimtare që luftërat e përgjakshme krijojnë ose lënë pas në komunitete, mbrojtësit e pyjeve dhe militarizimin e policisë, apo të nxehtin e shkretëtirës dhe shkrirjen e përshpejtuar të akullnajave.

Zjarri është kudo, ndërsa dokumentaristët nga e gjithë bota sjellin histori për të gjitha këto me një hijeshi dhe dinjitet pothuaj të pakrahasueshëm”, thotë Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFest-it.

Samir Karahoda, udhëheqës i Programit të Filmit të Shkurtër në DokuFest, thotë: “Edhe këtë vit, DokuFest vazhdon të sjellë autorë që sfidojnë format tradicionale të rrëfimit dhe na ftojnë ta shohim botën nga këndvështrime të reja.

Në një kohë kur bota po ndryshon me ritme të shpejta, filmi i shkurtër mbetet hapësira ku autorët guxojnë të eksperimentojnë, të trajtojnë tema të ndjeshme dhe të vënë në pikëpyetje realitetin që na rrethon. Përzgjedhja e këtij viti bashkon zëra nga vende të ndryshme, duke na ftuar të shohim me më shumë vëmendje dhe të kuptojmë më thellë kohën në të cilën jetojmë.

Gara Ndërkombëtare e Filmit të Shkurtër dhe Gara Kombëtare dëshmojnë se filmi i shkurtër mbetet një nga format më të guximshme të shprehjes në kinemanë bashkëkohore.”

Në ditët në vijim, DokuFest do të vazhdojë me shpalljen e programeve të tjera, përfshirë seksionin shumë të pritur si View from the World, programin Country in Focus, anëtarët e jurive, si dhe një sërë programesh të kuruara posaçërisht, diskutimesh në panel, bisedash, masterclass-ash dhe performancash muzikore që do të zhvillohen gjatë festivalit.

DokuFest do të mbahet prej 7 deri më 15 gusht në hapësira të ndryshme të qendrës historike të Prizrenit, si dhe në kinematë në Abi Qarshi.

Burimi: Bota Sot