Marrëveshja SHBA-Iran qetëson tregjet: Bie çmimi i naftës, bursat globale reagojnë me rritje

0%

Tregjet ndërkombëtare reaguan menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Zhvillimi u prit pozitivisht nga investitorët, ndërsa çmimet e naftës shënuan rënie dhe bursat kryesore botërore u ngjitën në nivele më të larta.

Në tregtimin e hershëm të së enjtes, nafta Brent ra me 1.12%, duke zbritur në 78.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI humbi 1.28% dhe u tregtua me 75.81 dollarë për fuçi. Analistët e lidhin këtë rënie me uljen e rrezikut gjeopolitik në rajon dhe pritshmëritë për rikthimin gradual të eksporteve iraniane të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Optimzimi u reflektua edhe në tregjet financiare. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me rreth 5%, duke arritur nivele rekord, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 5.2%. Rritje shënuan edhe indekset e tjera aziatike, pasi investitorët vlerësuan se marrëveshja do të reduktojë rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin global me energji dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif deklaroi se ngushtica do të hapet plotësisht pa vonesë, ndërsa SHBA do të nisë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se ka nënshkruar marrëveshjen gjatë një darke zyrtare në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7. “U nënshkrua. Sapo e firmosa në Versajë”, deklaroi Trump para gazetarëve. Edhe Teherani konfirmoi zyrtarisht finalizimin e dokumentit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, bëri të ditur se memorandumi është nënshkruar nga presidentët e të dy vendeve dhe se tashmë mund të nisë faza e zbatimit të tij. Marrëveshja përfshin 14 pika dhe parashikon që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore, si dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Dokumenti parashikon gjithashtu një periudhë 60-ditore negociatash për finalizimin e kushteve përfundimtare, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe rifillimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, mbeten ende disa çështje të hapura, përfshirë negociatat teknike mbi programin bërthamor iranian, heqjen e kufizimeve mbi eksportet e naftës dhe mënyrën e administrimit të Ngushticës së Hormuzit pas periudhës kalimtare 60-ditore.

Pavarësisht këtyre paqartësive, tregjet globale e kanë interpretuar marrëveshjen si një sinjal të fortë stabiliteti, duke ulur frikën për një krizë të re energjetike dhe përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Burimi: Bota Sot