Ministrja Gërvalla takon gjyqtarë dhe prokurorë: Forcimi i sistemit

0%

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot ka zhvilluar një takim, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, me gjyqtarë dhe prokurorë, ku u diskutuan çështje që lidhen me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave, si dhe me nevojën për një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

Në këtë kontekst, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031, e cila synon të avancojë koordinimin ndërinstitucional, të forcojë shtyllën e ndjekjes penale dhe gjyqësore, si dhe të sigurojë zbatimin e plotë të standardeve të Konventës së Stambollit.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të forcuar kornizën ligjore dhe institucionale, në mënyrë që sistemi ynë i drejtësisë të jetë gjithnjë e më efektiv në mbrojtjen e viktimave”, tha Ministrja Gërvalla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tutje, ajo vlerësoi rolin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në garantimin e mbrojtjes efektive të viktimave, duke theksuar se ky rol nuk kufizohet vetëm në zbatimin formal të ligjit, por kërkon profesionalizëm, paanshmëri, ndjeshmëri ndaj viktimës dhe një kuptim të plotë të dinamikës së dhunës në familje.

Ministrja Gërvalla the se vendimet e marra në kohën e duhur mund të shpëtojnë jetë, të parandalojnë përsëritjen e dhunës dhe të rikthejnë besimin e viktimave në institucionet e drejtësisë. Më tej, Ministrja Gërvalla theksoi se asnjë reformë ligjore nuk mund të arrijë efektin e saj të plotë pa përkushtimin e institucioneve dhe profesionistëve që e zbatojnë ligjin çdo ditë.

“Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, synojmë një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon dhunën, por edhe e parandalon atë; një sistem që dëgjon, mbron dhe garanton trajtim dinjitoz për çdo viktimë”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla theksoi se një shoqëri demokratike matet me mënyrën se si i mbron më të cenuarit e saj dhe se përmes një sistemi drejtësie të fuqishëm, profesional dhe të përgjegjshëm ndërtohet një e ardhme ku çdo viktimë dëgjohet, çdo rast trajtohet me seriozitet dhe drejtësia garanton mbrojtje, përgjegjësi dhe besim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Burimi: Bota Sot