Harry Styles është nderuar me një rekord nga Guinness World Records për serinë më të gjatë të koncerteve në Stadiumin Wembley, pasi përfundoi 12 koncerte radhazi me të gjitha biletat e shitura.
Ylli i muzikës pop ka thyer rekordin zyrtar për rezidencën më të gjatë të një artisti në këtë stadium brenda një serie të vetme koncertesh, duke lënë pas rekordin e mëparshëm të Coldplay prej 10 netësh, të vendosur në vitin 2025.
“Seria rekord prej 12 koncertesh e Harry Styles është dëshmi e përmasave, ambicies dhe ndikimit kulturor të performancave të tij live, si edhe e lidhjes së jashtëzakonshme që ai ka me fansat e tij,” tha Will Munford, gjyqtar i Guinness World Records. Styles, 32 vjeç, nisi pjesën londineze të turneut të tij Together, Together më 12 qershor, ndërsa koncerti i fundit u mbajt të shtunën.
Gjatë koncertit përmbyllës, ku morën pjesë rreth 80 mijë spektatorë, Styles ndaloi për të reflektuar mbi kohën e tij me grupin One Direction. “Nuk do të isha në këtë skenë po të mos ishte për katër miqtë e mi, të cilët ishin një pjesë shumë e rëndësishme e këtij rrugëtimi,” tha ai.
“Dua të falënderoj Niall, Louis, Zayn dhe mikun tim të dashur Liam për këto vite dhe për gjithçka që kam mësuar gjatë kësaj kohe – miqësinë dhe çdo përvojë. Asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur dhe unë nuk do të isha këtu pa ju. Ju falënderoj nga zemra”. Grupi One Direction u formua në vitin 2010 gjatë spektaklit televiziv The X Factor dhe hyri në një pauzë të pacaktuar në vitin 2016.
Anëtari i grupit, Liam Payne, ndërroi jetë në vitin 2024 në moshën 31-vjeçare. Styles u tha gjithashtu fansave se donte të “ndalej për një moment” dhe të reflektonte mbi karrierën e tij, 16 vjet pasi audicioni i The X Factor ishte zhvilluar pranë Wembley-t. “Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, pak jashtë kësaj godine, aty pranë, u bëra pjesë e një grupi që ma ndryshoi jetën,” tha ai.
