Supremja refuzon të gjitha ankesat, hapet rruga për certifikimin e

0%

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që lidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Njëra nga ankesat ishte paraqitur nga Lista Serbe, e cila pretendonte se subjekti politik “GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” (ZSPO) kishte siguruar mandatin e rezervuar për komunitetin serb kryesisht përmes votave të fituara në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare. “Gjykata Supreme vlerëson se këto pretendime janë të pabazuara.

Gjykata thekson se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë dhe se Lista e Votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për rrjedhojë, nuk ekziston bazë ligjore që vlefshmëria ose efekti juridik i një vote të varet nga përkatësia etnike e votuesit apo nga struktura demografike e vendbanimit ku është dhënë ajo”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Lista Serbe nuk ka paraqitur prova konkrete që do të dëshmonin manipulim të votave ose ndonjë parregullsi tjetër zgjedhore që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Si të pabazuara janë refuzuar edhe dy ankesat e kandidates Emilija Rexhepi nga subjekti politik Nova Demokratska Stranka (NDS).

Në njërën ankesë, ajo pretendonte se ekzistonte mospërputhje ndërmjet strukturës demografike të vendbanimeve dhe rezultatit zgjedhor, duke kërkuar anulimin e votave që, sipas saj, ndikonin në ndarjen e mandatit të garantuar për komunitetin boshnjak.

“Gjykata vlerëson se pretendimet e ankueses mbështeten në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave apo rezultatin zgjedhor. Legjislacioni zgjedhor i Republikës së Kosovës nuk parashikon strukturën etnike të popullsisë si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore”.

Në ankesën e dytë, Rexhepi kishte kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së përdorimit të votave të fituara nga ZSPO në gjashtë qendra votimi në Komunën e Prizrenit, duke pretenduar se ato ishin dhënë në vendbanime me shumicë të komunitetit boshnjak. “Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj.

Kjo, pasi legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit dhe se nuk ekziston bazë kushtetuese apo ligjore që votat të vlerësohen mbi bazën e strukturës etnike të një vendbanimi. Sipas Gjykatës, e drejta e votës është individuale dhe çdo qytetar është i lirë të votojë për subjektin politik që zgjedh, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike”.

Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se Rexhepi nuk kishte paraqitur prova konkrete për manipulim të fletëvotimeve, ndërhyrje në materialin zgjedhor apo ndonjë shkelje tjetër të procesit zgjedhor.

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e kandidatit për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu, i cili kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në vendvotimet që nuk ishin përfshirë në mostrën prej 185 vendvotimeve.

“Gjykata Supreme vlerëson se ankuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë, ndërsa raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë të mjaftueshme për një masë të tillë”.

Po ashtu, është refuzuar edhe ankesa e kandidatit të PDK-së, Qëndrim Kryeziu, i cili kishte pretenduar se ankesa e tij ishte trajtuar gabimisht si çështje tashmë e gjykuar. “Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar në mënyrë të rregullt pretendimet e ankuesit dhe kishte arritur në përfundimin se ankesa ishte e pabazuar.

Gjykata vlerëson se pretendimet e paraqitura mbështeteshin në të njëjtat të dhëna dhe rezultate të rinumërimit që kishin qenë objekt i shqyrtimit edhe më parë, ndërsa raporti i KQZ-së nuk provonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërim të plotë të votave.

Gjithashtu, u vlerësua se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar në kuadër të mekanizmave të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si pasojë e konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com