Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj përbërjes së delegacionit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, i cili po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Turqi, duke theksuar se në të nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar.
Sipas BDI-së, mungesa e përfaqësuesve shqiptarë në delegacion pasqyron një qasje të gabuar ndaj karakterit multietnik të shtetit dhe dërgon mesazh të gabuar si për qytetarët, ashtu edhe për aleatët ndërkombëtarë. “ Përfaqësim pa shqiptarë nuk është përfaqësim i shtetit Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar.
Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit. Delegacionet shtetërore duhet ta reflektojnë realitetin e vendit, jo ta fshijnë atë.
Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi më i lartë ndërkombëtar është mesazh i gabuar për qytetarët, për aleatët dhe për vetë karakterin e shtetit. Shteti nuk përfaqësohet drejt kur gjysma e realitetit të tij lihet jashtë. “, thuhet në reagim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
