Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) Hidromorava ka bërë thirrje për përdorim racional të ujit të pijshëm, duke njoftuar se gjatë inspektimeve të fundit në fshatin Zhegër janë evidentuar raste të keqpërdorimit të ujit për qëllime të paautorizuara.
Sipas njoftimit të kompanisë, ekipet në terren kanë konstatuar se uji i pijshëm po përdoret për larjen e rrugëve, automjeteve dhe për ujitje, në një periudhë kur kërkesa për furnizim është e lartë.
KRU Hidromorava ka rikujtuar se përdorimi i ujit jashtë nevojave bazike, si dhe çdo lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, përbën shkelje të rregulloreve në fuqi dhe ndikon negativisht në furnizimin e konsumatorëve të tjerë.
“Çdo përdorim i ujit jashtë nevojave bazike, si dhe çdo lidhje ilegale, është shkelje e rregulloreve në fuqi dhe dëmton rëndë furnizimin për qytetarët tjerë”, thuhet në njoftimin e kompanisë. Kompania ka bërë të ditur se do të intensifikojë kontrollet në terren dhe ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë keqpërdoruesve.
“Kompania do të rrisë kontrollet dhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve do të merren masa të rrepta, përfshirë shkyçjen pa paralajmërim”, thuhet më tej në njoftim. Në fund, KRU Hidromorava u ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë për përdorimin e përgjegjshëm të ujit, me qëllim që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët. / Telegrafi
