Thibaut Courtois nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores 4-1 ndaj SHBA dhe shfrytëzoi rastin “të heqë një gur nga këpuca”, referuar çështjes “Balogun”. Portieri belg iu referua tensioneve të krijuara pasi FIFA lejoi sulmuesin amerikan të luante, pavarësisht pezullimit, vendim që kishte sjellë reagim të ashpër nga federata belge.
“E ndëshkuam mungesën e respektit që amerikanët treguan ndaj nesh ditët e fundit”, – deklaroi Courtois. Ai uli edhe vlerësimin për SHBA-në, duke thënë se ndeshja më e vështirë ishte ajo ndaj Senegalit: “Lexoj disa gjëra dhe më vjen të buzëqesh.
E kuptoj që duan të krijojnë vëmendje rreth SHBA-së, por sot isha më i sigurt për fitoren sesa ndaj Senegalit, që ka një ekip më të fortë se amerikanët”. Para çerekfinales me Spanjën, Courtois kërkoi qetësi: “Objektivi ynë ishte të arrinim në çerekfinale. Çdo gjë që do të vijë nga ky moment e tutje do të jetë bonus”.
