Ministri në detyrë i Infastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha e ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës për realizimin e autostradës Shkup – Bllacë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Ai ka thënë se ky është lajm i mirë, sepse si projekt ka rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ky segment përbën vazhdimin e korridorit të rëndësishëm rajonal dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt kompletimit të njërit prej akseve më strategjike të transportit në rajon.
Realizimi i këtij investimi do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave, do të forcojë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, investime dhe integrim rajonal” , ka thënë Basha.
Ai ka uruar që punimet të zhvillohen sipas planit dhe projekti të përfundojë brenda afateve të parapara, në mënyrë që qytetarët e të dy vendeve të përfitojnë nga kjo lidhje moderne. “Infrastruktura nuk njeh kufij, andaj çdo investim që rrit ndërlidhjen rajonale, i afron qytetarët, fuqizon ekonomitë tona dhe kontribuon për një rajon më të zhvilluar e më të integruar”, ka shtuar Basha.
