Komisioni Evropian do t’u paraqesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian një rekomandim me shkrim, sipas të cilit Serbia është e gatshme për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit dhe do të rekomandojë që ky grup kapitujsh të hapet gjatë muajit korrik, mësoi REL-i nga burime të besueshme në Bruksel.
Megjithatë, vendimi për avancimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, përmes rekomandimit për hapjen e klasterit 3, vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur marrëdhëniet e Beogradit me Kosovën mbeten të tensionuara dhe orientimi i tij i politikës së jashtme ndaj Rusisë vazhdon të ngrejë pikëpyetje në Bruksel.
Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse përparimi i Serbisë në negociata përputhet me kriteret dhe vlerat mbi të cilat bazohet procesi i anëtarësimit, si dhe çfarë mesazhi i dërgon ky vendim vendeve të tjera të rajonit që synojnë integrimin evropian.
Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti austriak dhe kryetari i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, Gunther Fehlinger. Fillimisht, ai u shpreh kritik ndaj Bashkimit Evropian dhe vendimit të tij për procesin e anëtarësimit të Serbisë dhe paralajmëroi se një gjë e tillë e dobëson besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.
Eksperti austriak dhe kryetari i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, Gunther Fehlinger. “Bashkimi Evropian duhet të pezullojë menjëherë çdo përparim të mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit të Serbisë. Hapja e Klasterit 3 në këtë moment do të shpërblente obstruksionin në vend të reformave dhe do të minonte besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së” .
Për këtë arsye, Fehlinger kërkoi nga Komisioni Evropian që përparimi i mëtejshëm i Serbisë në këtë proces të bëhet vetëm pasi kjo e fundit ta njohë Kosovën.
Krahas kësaj, ai tha se Beogradi duhet t’i plotësojë edhe disa kushte të tjera, të cilat i renditi si më poshtë: “I bëj thirrje Këshillit Evropian që çdo përparim i mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit të Serbisë të kushtëzohet me njohjen paraprake të Republikës së Kosovës nga Serbia dhe më pas me përmbushjen e këtyre kushteve: • Të njohë Republikën e Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie normale diplomatike. • Të zbatojë plotësisht të gjitha zotimet e marra në kuadër të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. • Të harmonizojë 100% politikën e saj me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë. • T’i japë fund çdo mbështetjeje politike, financiare dhe të sigurisë për strukturat destabilizuese në veri të Kosovës. • Të bashkëpunojë plotësisht për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin në Banjskë. • Të ndalojë retorikën nacionaliste nxitëse dhe kërcënimet ndaj vendeve fqinje. • T’i japë fund bashkëpunimit strategjik ushtarak dhe të sigurisë me Rusinë, i cili është i papajtueshëm me politikën e jashtme të BE-së. • Të zvogëlojë varësinë e tepruar nga Kina në sektorët strategjikë të infrastrukturës dhe sigurisë. • Të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit në përputhje me standardet e BE-së. • Të garantojë lirinë e vërtetë të mediave dhe të përmirësojë mbrojtjen e gazetarëve të pavarur. • Të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike. • Të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar përmes reformave të matshme dhe të verifikuara në mënyrë të pavarur. • Të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve fqinje, përfshirë Kosovën. • T’u japë fund politikave që kontribuojnë në paqëndrueshmërinë rajonale dhe të mbështesë në mënyrë aktive pajtimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. • Të dëshmojë një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave evropiane përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm deklaratave”.
Në fund, eksperti austriak shtoi se, pa përmbushjen e të gjitha këtyre kritereve dhe pa njohjen e Kosovës, Serbisë nuk duhet t’i hapet asnjë kapitull i ri negociues. Sipas tij, BE-ja duhet të shpërblejë reformat dhe demokracinë, jo obstruksionin dhe nacionalizmin. “Bashkimi Evropian duhet të rikthejë parimin se zgjerimi bazohet në meritë dhe jo në akomodim gjeopolitik.
Derisa Serbia ta njohë Kosovën dhe të dëshmojë respektimin e qëndrueshëm të këtyre kushteve, nuk duhet të hapet asnjë klaster i ri negociues. Evropa duhet të shpërblejë reformat, demokracinë, paqen dhe harmonizimin me vlerat evropiane – jo obstruksionin, nacionalizmin dhe paqartësinë strategjike”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.
