Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit, në LDK kanë nisur lëvizje për ndryshime në udhëheqje. Burime brenda partisë bëjnë të ditur se po mblidhen nënshkrime për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, ku pritet të shqyrtohet edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku. Sipas tyre, iniciativën e ka nisur Gazmend Muhaxheri.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, vlerëson se përplasjet e brendshme dhe nisma për shkarkimin e Lumir Abdixhikut rrezikojnë ta dëmtojnë rëndë LDK-në. Ai kërkon një proces të ri zgjedhor brenda partisë, duke paralajmëruar se luftërat e brendshme mund ta çojnë atë drejt rrënimit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po hyn në një proces të rrezikshëm, i cili mund ta dëmtojë atë në mënyrë të pariparueshme. Peticioni ka për qëllim thjesht shkarkimin e Lumir Abdixhikut, jo zgjidhjen e problemit. Unë pata kërkuar para një viti që Lumir Abdixhiku të japë dorëheqje, atëherë ndoshta do të bëhej një zgjidhje pa tronditje të mëdha.
Situata sot është shumë e rrezikshme dhe e çon LDK-në drejt shkatërrimit. Zgjidhja nuk është te luftërat e brendshme, zgjidhja është te një proces i ri zgjedhor, që fillon nga nëndegët dhe zhvillohet pa tensione. Po ashtu, kam kërkuar disa herë që kryetari të zgjedhet me vota të drejtpërdrejta, jo kështu si është sot.
Lumir Abdixhiku u konsumua shpejt, por as këta që pretendojnë të bëhen kryetar, nuk ofrojnë asgjë më shumë. Këto përplasje janë një paralajmërim i një rrënimi të ri të LDK-së. Të gjithë ne që e kemi dashur dhe e duam LDK-në duhet të jemi shumë të brengosur” , u shpreh Salihaj për “Bota sot”.
