Qumështorja “VITA” nga sonte, , do të fillojë grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët të cilët e dorëzojnë atë në këtë kompani.
Ky lajm u bë i ditur nga anëtari i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, Fidan Krasniqi, pas takimit disaorësh të zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë me ministrin në detyrë, Armend Muja, zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përfaqësuesve të prodhuesve të qumështit, të shoqatës dhe përpunuesve.
Krasniqi tha se sipas marrëveshjes shumë shpejt pritet publikimi i rezultateve të analizave të mostrave të marra në qumështoren “VITA”. Në takim, sipas Krasniqit, është thënë se arsyeja e vonesës së publikimit të rezultateve është sepse janë marrë mostra edhe nga qumështore të tjera dhe se nuk është në pyetje vetëm “VITA”.
Takimi gjatë të cilit është arritur marrëveshja “e përkohshme” sipas Krasniqit është zhvilluar pas protestës së zhvilluar nga fermerët e qumështit, të cilët kanë derdhur qumësht te dyert e Ministrisë së Bujqësisë.
Protesta e tyre erdhi pak ditë pas mbylljes së qumështores “VITA”, zyrtarë të së cilës shpallën mbylljen e saj për shtatë ditë pas aksionit të inspektimit nga AUV, të zhvilluar më . “Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha.
Fermerë ju kërkojmë falje por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja “VITA” nuk punon dhe nuk pranon qumësht”- kishte thënë drejtori gjeneral i kompanisë Artan Spahia më .
Dy ditë më vonë, më , Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se gjatë një kontrolli inspektues në fabrikën e përpunimit të qumështit “VITA” janë identifikuar parregullsi që lidhen me zbatimin e vendimit të Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas tyre, vendimi në fuqi ndalon përdorimin e përbërësve si qumështi pluhur, vaji i palmës, hirra dhe disa shtesa të tjera në prodhimet e qumështit, ndërsa verifikimi përfundimtar i situatës do të bëhet pas rezultateve laboratorike.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, përmes një postimi ka thënë se “kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore”.
