Mungesa e përgjigjeve nga administrata shtetërore, zvarritjet e procedurave gjyqësore, çështjet sociale e shëndetësore, si dhe problemet që lidhen me të drejtat e fëmijëve, janë ankesat kryesore të qytetarëve drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, nga fillimi i vitit deri më tani janë paraqitur 899 ankesa, numër ky përafërsisht i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, me një rritje të lehtë. Qelaj thotë për KosovaPress, se numri do të ishte më i lartë, nëse do të ishin në funksion të gjitha institucionet shtetërore.
Qelaj: 899 ankesa janë paraqitur te Avokati i Popullit “N ga statistikat që ka institucioni i Avokatit të Popullit, deri tash nga fillimi i vitit, janë paraqitur 899 ankesa. Që tregon që është një numër përafërsisht i njëjtë me periudhën e vitit të kaluar, pra nuk ka pasur rënie, një rritje të lehtë po jo shumë të ndjeshme.
Ky numër kishte me qenë edhe më i madh nëse kishin me funksionua të gjitha institucionet, edhe parlamenti, dhe kishin me u zgjedhë institucionet e tjera.
Dhe ishte rritur dinamika e punës së administratës shtetit, sepse sa më shumë punon shteti dhe administrata, aq më shumë raste paraqiten te ne, ngaqë palët ballafaqohen me kërkesat e përditshme ku ata mund të ndiejnë të trajtuar në mënyrë të pabarabartë ose që u ka cenuar të drejtat e tyr e”, thotë Qelaj.
Qelaj shtoi se ankesat kryesore të qytetarëve lidhen me mungesën e përgjigjeve nga administratat në raport me kërkesat e qytetarëve. Sipas tij, mungesa e përgjigjes nga autoritetet, po rrit numrin e rasteve gjyqësore, e cila ndër vite.
Qelaj: Numri më i madh i ankesave kanë të bëjnë me mungesën e përgjigjeve “ Numri më i madh i ankesave kanë të bëjnë me mungesën e përgjigjeve në kërkesat e qytetarëve.. Tani kemi filluar me e pasur një trend të rritjes së ankesave për shkak të mospërgjigjes së administratës në raport me kërkesat e qytetarëve.
Dhe kjo natyrisht është shumë shqetësuese, sepse përveçse tregon një mungesë gatishmërie me zbatua ligjin, ligji për procedurën e përgjithshme administrative, referon një obligim që kanë autoritetet me ju përgjigj në afate ligjore të gjitha kërkesave.
Pra, mungesa e përgjigjes nga autoritetet po e rrit edhe numrin e rasteve gjyqësore, dhe pastaj ne vazhdimisht, ndër vite bazën e dytë të ankesave e kemi në raport me zvarritjet e procedurave gjyqësore. Gjë që si problem po vazhdon me qëndruar shumë shqetësues vit pas viti”, thekson ai.
Avokati i Popullit thotë se një tjetër kategori e rëndësishme e ankesave ka të bëjë me çështjet sociale dhe shëndetësore. Ai përmend mungesën e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore, mungesën e barnave në listën esenciale, si dhe pamundësinë e shumë qytetarëve për t’i përballuar kostot e trajtimit mjekësor.
Qelaj: Ankesat tjera janë për çështjet sociale dhe shëndetësore “ Në aspektin e tretë ka të bëjë me çështje sociale dhe çështje shëndetësore. Mungesa e ndërtimit apo e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore, ka bërë që qytetarët me u ballafaqua me vështirësi tejet serioze në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Mungesa e barnave në listën esenciale, kushtet e vështira dhe papërballueshmëria e kostove të shërbimeve mjekësore dhe shumë aspekte të tjera. Përveç çështjeve shëndetësore, çështjet sociale janë paraqitur si shqetësim tepër i madh këtë periudhë kohore. Kategoria më e cenueshme dhe më e ndjeshme e shoqërisë po na del me qenë të moshuarit.
Personat që janë në moshë, pensionistët e të tjerët, aktualisht niveli i standardit të jetës së tyre është i rrezikshëm. Një numër i madh i pensionistëve dhe i të moshuarve nuk arrijnë me i përballu as koston e barnave, shpenzimeve që iu duhen për medikamente” , thotë Qelaj.
Qelaj ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen e fëmijëve, duke thënë se hetimet e institucionit kanë treguar mungesa të shumta në shërbimet që shteti është i obliguar t’ua ofrojë atyre, veçanërisht në fushën e sigurisë, shëndetit dhe mirëqenies.
Ai thotë se dhuna në shkolla është e përhapur, ndërsa mekanizmat institucionalë nuk po funksionojnë si duhet në parandalimin dhe trajtimin e këtyre rasteve. Sipas tij, shqetësuese mbetet edhe pesha e çantave shkollore dhe mungesa e shërbimeve për shëndetin mendor të fëmijëve.
Qelaj: Fëmijët ballafaqohen me shumë mungesa të shërbimeve që shteti ka detyrim me ua ofru “Rezultati i hetimeve që ne kemi kryer ka treguar që fëmijët ballafaqohen me shumë mungesa të shërbimeve që shteti ka detyrim me ua ofruar, për të sigurisë dhe të shëndetit të tyre. Në raport me dhunën në shkolla, kemi parë që gjetjet kanë treguar që dhuna është shumë e përhapur.
Mekanizmat institucionalë nuk po funksionojnë në parandalim dhe në trajtim të këtyre rasteve.. Sa duket, një numër i madh i shkollave i mbajnë mbyllur këto raste.. Pesha e çantave të shkollave na ka dalë që është shumë fish më e madhe sesa pesha e lejuar sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ajo ka ndikuar që fëmijët tanë me pasur probleme shëndetësore, devijime në shtyllën kurrizore e probleme të tjera.. Gjithashtu, edhe për shëndetin mendor të fëmijëve kemi pasur një hulumtim që ka treguar që ka mungesë të shërbimeve, sidomos në identifikim dhe parandalim të hershëm. Gjë që konsiderojmë që është një alarm për autoritetet publike të vendit tonë ”, shprehet ai.
