Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së dielës qytetin e Prizrenit, ku një grua 54-vjeçare është gjetur pa shenja jete brenda banesës së saj. Rasti po hetohet nga organet kompetente, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është A.P, 54 vjeçare.
Sipas informacioneve të para, rreth orës , Policia është njoftuar se në një banesë në rrugën “Turgut Ozal”, në kompleksin “Fat Group 3”, ndodhej një person pa shenja jete. Njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e 54-vjeçares.
Sipas dyshimeve fillestare, viktima dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në banjën e banesës. Ajo është gjetur nga bashkëshorti i saj, i cili kishte tentuar ta ndihmonte duke e zbritur dhe vendosur në dhomën e ndenjës, por përpjekjet kanë rezultuar të pasuksesshme.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Prokurori i Shtetit dhe njësitë rajonale të hetimeve, të cilat kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe mbetet nën hetim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
