Erling Haaland vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur të Kampionatit Botëror. Sulmuesi norvegjez ishte heroi i fitores 2:1 ndaj Brazilit në të tetën e finales, duke realizuar dy gola në minutat e fundit dhe duke e dërguar Norvegjinë për herë të parë në histori në çerekfinale të Botërorit.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Haaland publikoi një selfie në llogarinë e tij në Instagram, të cilën e shoqëroi me mbishkrimin: “Well, well, well”… Foto e publikuar nga Haaland Sulmuesi norvegjez po zhvillon një Botëror të jashtëzakonshëm.
Në katër ndeshje ai ka realizuar shtatë gola: dy ndaj Irakut, dy kundër Senegalit, një ndaj Bregut të Fildishtë dhe dy kundër Brazilit në fazën e 1/8 së finales. Me shtatë gola, Haaland ndan kreun e listës së golashënuesve të turneut së bashku me Lionel Messin dhe Kylian Mbappén.
Dy golat ndaj Brazilit e çuan gjithashtu në kuotën e 62 golave në vetëm 54 paraqitje me fanellën e Norvegjisë, duke forcuar edhe më tej statusin e tij si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares norvegjeze. Edhe para nisjes së Kampionatit Botëror, Haaland ishte lideri i Norvegjisë në eliminatoret, ku skuadra fitoi të tetë ndeshjet, ndërsa ai realizoi plot 16 gola.
