Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Ndonëse Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës pretendon se Laboratori i Toksikologjisë është funksional dhe i pajisur me aparaturën e nevojshme, gjetjet e KOHËS dhe deklaratat e institucioneve të tjera tregojnë diçka tjetër.
Laboratori i paralajmëruar që nga viti 2025, sipas burimeve, ende nuk ofron shërbim të rregullt, ndërsa një pjesë e specialistëve të toksikologjisë vazhdojnë të mos e ushtrojnë profesionin për të cilin janë specializuar Laboratori i Toksikologjisë, i cili shërben për identifikimin dhe matjen e substancave toksike në organizëm, përmes faqes zyrtare të SHSKUK-së, ishte paralajmëruar se do të niste punën në shkurt të vitit 2025.
KOHA ka vizituar dy herë brenda disa ditësh hapësirat e tij, por në të dyja herët ishte e mbyllur. E nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar (SHSKUK) insistojnë se laboratori është funksional. “Shërbimi i Toksikologjisë Klinike është funksionalizuar qysh nga data . Të punësuar aktualisht në këtë shërbim janë katër specialistë të toksikologjisë.
Shërbimi është funksional, i pajisur me aparaturë moderne dhe punon me orar të plotë. Në këtë laborator punohen 22 parametra”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së. Dy toksikologë të angazhuar në Spitalin e Gjilanit, janë paralajmëruar se do të transferohen në QKUK për nevojat e këtij shërbimi. Ata, sipas drejtorit të këtij spitali Afrim Cana, ende nuk janë ftuar për nisur punën në Prishtinë.
“Aktualisht në SP Gjilan janë dy toksikologë, e që janë në pritje për t’u transferuar në QKUK, sipas një marrëveshjeje që më kanë njoftuar se ekziston kur të fillojë punën njësia e toksikologjisë në QKUK”, ka thënë Cana. Edhe burime të KOHËS kanë thënë se laboratori ende nuk është funksional dhe se hapet vetëm në raste të caktuara..
Nga SHSKUK-ja kanë thënë se në këtë shërbim janë të punësuar katër specialistë të toksikologjisë. Po sipas burimeve të KOHËS, njëri prej tyre është farmacist, ndërsa tre toksikologët e tjerë paguhen si specialistë të toksikologjisë me pagë rreth 1200 euro, ndonëse shërbimi nuk ofrohet. Po ashtu njëra nga toksikologet e punësuara ka pozitë edhe në barnatoren qendrore të SHSKUK-së.
Se në SHSKUK janë të punësuar tre specialistë të toksikologjisë e kanë konfirmuar edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës. “Nga specialistët e punësuar në sektorin publik, 2 janë të angazhuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, 1 në Spitalin e Ferizajt, 2 në Spitalin e Gjilanit dhe 3 në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e odës.
Nga Spitali i Gjilanit kanë bërë të ditur se dy toksikologët e angazhuar aktualisht nuk e ushtrojnë profesionin për të cilin janë specializuar.
“Dy farmaciste që janë toksikologe në Gjilan kryejnë punën e farmacistit, ashtu i kam gjetur unë kur kam ardhur drejtor dhe jam në dijeni që pritet transferimi i tyre në QKUK, sepse në nivel vendi pritet aktivizimi i shërbimit të toksikologjisë”, ka thënë drejtori i Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana.
Se një pjesë e specialistëve të toksikologjisë nuk e ushtrojnë profesionin në përputhje me specializimin e tyre e kanë konfirmuar edhe nga Oda e Farmacistëve të Kosovës. “Sipas informatave tona, një pjesë e tyre ushtrojnë dhe paguhen sipas pozitës së specialistit të toksikologjisë, ndërsa të tjerët janë të sistemuar dhe kompensohen në pozita të farmacistit.
Vetëm një pjesë e specialistëve të toksikologjisë e ushtrojnë profesionin në përputhje të plotë me specializimin e tyre. Sipas informatave tona, një pjesë e tyre ushtrojnë dhe paguhen sipas pozitës së specialistit të toksikologjisë, ndërsa të tjerët janë të sistemuar dhe kompensohen në pozita të farmacistit”, thuhet në përgjigje.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në spitalet e tjera rajonale për të mësuar nëse kanë të punësuar specialistë të toksikologjisë. Përgjigje kanë kthyer Spitali i Mitrovicës dhe ai i Gjakovës, të cilët kanë bërë të ditur se nuk kanë asnjë toksikolog të punësuar.
