Diaz, lojtari që i ka munguar Marokut

0%

Shpërndaje në: Nuk është më befasi ta shohësh Marokun mes ekipeve më të mira në botë. Marokenët janë kthyer në mesin elitar pasi fituan 3:0 ndaj Kanadasë në 1/8 e finales së Botërorit, të shtunën në Houston. Arritja në mesin e tetë më të mirëve është “territor i njohur” për Marokun. Maroku është ekipi i parë afrikan që kualifikohet dy herë në çerekfinale të Kupë të Botës.

Katër vjet më parë fushata e tyre përfundoi në gjysmëfinale, që është rezultati më i mirë deri më tani nga një përfaqësuese afrikane. Tani ekziston një ndjesi që Maroku mund të paraqitet edhe më mirë. Ndër të tjera, Maroku krenohet me organizator të lojës që është i aftë të “gjejë çelësin” e çdo mbrojtjeje kundërshtare. Bëhet fjalë për Brahim Diaz.

“Dhjetëshja” debutoi për mars të vitit 2024 dhe nuk ka shikuar më prapa. Ndaj Kanadasë u shfaq kur ekipi kishte më së shumti nevojë për të. Ai bëri dy asistime për t’i dhënë drejtim ndeshjes së vështirë me kanadezët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sigurisht, është një ëndërr të përjetoj këtë Kupë të Botës, të arrijmë në çerekfinale dhe ta ndihmoj ekipin me gjithçka që po bëjmë dhe me atë që po bëj unë”, ka thënë Diaz për FIFA-n. “Por gjëja më e rëndësishme është të jemi në çerekfinale”. Diaz veçoi fortësinë mendore të Marokut pas pjesës së parë të vështirë. “Erdhi në shprehje mentaliteti, pasi pjesa e parë nuk ishte e lehtë.

Në fakt ishte e vështirë”, ka thënë Diaz. “Kjo tregon shumë për ekipin, qasjen që kemi. Përmbysja e gjërave në situata të tilla është shenjë shumë e mirë për çfarëdo që na del përpara”. 26-vjeçari Diaz luan për Real Madridin. Është i lindur në Malaga të Spanjës. Babain e ka maroken, e nënën spanjolle.

Në moshën 16-vjeçare u transferua te Manchester City, kurse te Real Madridi është nga viti 2019. Diaz ka luajtur për Spanjën U17, U19 e U21. E luajti edhe një ndeshje për përfaqësuesen A spanjolle në vitin 2021. Dy vjet më parë vendosi për Marokun. Maroku në vitin 2022 u dallua si ekip energjik dhe i vendosur. Shpirti garues dhe disiplina në mbrojtje e dërgoi deri në gjysmëfinale.

Dhe kjo nuk ka ndryshuar. Nëse kishte një pjesë që i mungoi Marokut në Botërorin 2022, ishte lojtari që zotëronte cilësitë sulmuese të Diazit. Ndaj Kanadasë ai orkestroi dy kundërsulme që vulosën fitoren. Gjatë festimeve, lojtarët e Marokut çmuan Diazin njëjtë sa lojtarët që i shënuan golat, duke pranuar kështu kontributin e mesfushorit.

“Jam i pëlqyeri i tyre, kanë shumë respekt për mua”, tha Diaz për bashkëlojtarët. “Ata më dhanë vëmendje pas golave dhe jam i lumtur për këtë”. Diaz tashmë i ka katër asistime në Botëror. Asistoi edhe ndaj Brazilit në barazimin 1:1 dhe në fitoren 1:0 ndaj Skocisë. “E vërteta është se lojtarët e tjerë bënë punë të mrekullueshme në Katar katër vjet më parë.

Edhe lojtarë që nuk janë tani ishin pjesë e atij suksesi. Jemi shumë të lumtur që jemi në çerekfinale dhe tani do të japim gjithçka për atë që na pret”, ka thënë Diaz. Maroku tashmë ka kthyer vëmendjen te ndeshja çerekfinale me Francën.

Burimi: Koha