Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Prej të mërkurës, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohet të hidhet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Siç mëson KOHA, për thirrjen e mbledhjes nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit, ndërsa më pas kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të vihet në votim. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë. Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Javën e kaluar, dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan dhe Dega e II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e arsyetuar kërkesën me rezultatin e dobët zgjedhor. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.
E Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, për siç tha rezultatin e dobët në këto degë. Më pas, Abdixhiku deklaroi se Kuvendi i LDK-së do të mblidhet në vitin 2027, në mbledhjen e rregullt.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, por më 31 janar Kuvendi i LDK-së e refuzoi atë kërkesë.
