FIFA i ka besuar gjyqtarit anglez Anthony Taylor drejtimin e ndeshjes së madhe mes Spanjës dhe Portugalisë, e cila do të zhvillohet të hënën në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026. 45-vjeçari është një nga arbitrat më me përvojë në arenën ndërkombëtare.
Ai gjykon në Premier League që nga viti 2010, ndërsa që prej vitit 2013 mban stemën e FIFA-s dhe është pjesë e grupit të arbitrave elitarë të UEFA-s dhe FIFA-s. Në këtë përballje, Taylor do të ketë si gjyqtar të katërt gjermanin Felix Zwayer. Për kombëtaren spanjolle, kjo do të jetë hera e gjashtë që një ndeshje e saj drejtohet nga Anthony Taylor.
Në pesë takimet e mëparshme me anglezin si arbitër kryesor, “La Roja” ka regjistruar tri fitore dhe dy humbje. Emri i Taylor është i njohur për tifozët spanjollë edhe për disa vendime të diskutueshme në të kaluarën.
Më i përfoluri mbetet çerekfinalja e Euro 2024 mes Spanjës dhe Gjermanisë, kur ai nuk akordoi penallti për Gjermaninë pas prekjes së topit me dorë nga Marc Cucurella, një vendim që shkaktoi polemika të mëdha në opinionin sportiv.
Tashmë, arbitri anglez do të jetë sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë në derbin iberik mes Spanjës dhe Portugalisë, një nga sfidat më të pritura të fazës eliminatore të Botërorit 2026.
