Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit policor “Të Kërkuarit”. Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe autoriteteve greke, ndërsa i ndaluari, me inicialet A.K., ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 14 vite burg.
Sipas mediave greke, Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit e kishte dënuar më për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes dhe prodhimit pa leje të armëve dhe municionit”. Ngjarja për të cilën ai u dënua daton në vitin 1999. Gjatë një përleshjeje me tre persona, 58-vjeçari dyshohet se hapi zjarr ndaj tyre, duke lënë një person të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
Sipas burimeve policore, pas ngjarjes ai ishte larguar nga Shqipëria dhe kishte gjetur strehim në Greqi, ku qëndroi për disa vite. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Greqi, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare.
