Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka ndërmarrë masa ndaj tre shoferëve për kundërvajtje të rënda në komunikacion, në kuadër të planit operacional për rritjen e sigurisë rrugore.
Në rastin e parë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, në rrugën magjistrale në fshatin Rakaj, ka ndaluar një automjet të tipit Audi me targa të huaja, ku shoferi me inicialet N.B. (28 vjeç) është kapur duke vozitur me shpejtësi 161 km/h në zonë ku kufizimi është 50 km/h.
Ndaj tij janë shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj. Në rastin e dytë, shoferit me inicialet D.Ç. (23 vjeç), Njësia Policore në Ferizaj i ka shqiptuar masë mbrojtëse heqje e patentë-shoferit për 12 muaj, pasi gjatë periudhës – ka grumbulluar 10 pikë negative për kundërvajtje të rënda në trafik.
Ndërkaq, në rastin e tretë, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, është ndaluar një automjet Opel Vivaro me targa vendore, ku shoferi me inicialet A.H. (23 vjeç) ka tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Ndaj tij janë shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të mjetit për 3 muaj.
Policia ka bërë të ditur se kjo kundërvajtje është raportuar nga një qytetar përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”. Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar për respektim të rregullave të trafikut dhe ka theksuar se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara për rritjen e sigurisë në rrugë.
