Ilaçi kundër kancerit mund të rikthejë fertilitetin te gratë me

0%

Studimi i parë dha rezultate që po ngjallin optimizëm: pas trajtimit, tri gra sollën në jetë foshnja të shëndetshme Një ilaç kundër kancerit, i përdorur prej dekadash, mund të hapë një mundësi të re për trajtimin e infertilitetit te gratë me insuficiencë të parakohshme ovariane.

Rezultatet e një studimi të vogël pilot tregojnë se pas terapisë me rituksimab , te disa paciente ka ndodhur sërish maturimi i qelizave vezë, ndërsa tri gra më pas kanë lindur fëmijë të shëndetshëm. Rituksimabi, ilaç i miratuar fillimisht në vitin 1997 për trajtimin e disa formave të kancerit të gjakut, sot përdoret edhe në trajtimin e disa sëmundjeve autoimune.

Shkencëtarët tani po hulumtojnë nëse ai mund t’u ndihmojë edhe grave te të cilat vezoret kanë ndaluar së funksionuari para moshës 40-vjeçare. Insuficienca e parakohshme ovariane shpesh çon në infertilitet dhe mund të jetë pasojë e proceseve autoimune, faktorëve gjenetikë apo shkaqeve të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Studimi, i publikuar në revistën NEJM Evidence, përfshiu 10 gra të reja me formë autoimune të kësaj gjendjeje, ku sistemi imunitar gabimisht sulmonte folikulat e vezoreve, brenda të cilave ndodhen qelizat vezë. Të gjitha pjesëmarrëset iu nënshtruan stimulimit hormonal të vezoreve para terapisë dhe më pas katër deri në gjashtë muaj pas trajtimit me rituksimab.

Para trajtimit, asnjëra nuk reagoi ndaj stimulimit. Pas përdorimit të ilaçit, te gjashtë nga dhjetë gra u zhvilluan folikula nga të cilat u morën me sukses qeliza vezë, transmeton Telegrafi. Sipas udhëheqëses së studimit, dr.

Angelica Lindén Hirschberg nga Instituti Karolinska në Suedi, rezultatet tregojnë se te disa gra ekziston ende një rezervë e qelizave vezë, e cila mund të riaktivizohet kur procesi autoimun ndalet. Te pesë gra, qelizat vezë të pjekura ishin mjaft cilësore për t’u ngrirë ose fekonduar. Tri paciente më pas iu nënshtruan transferimit të embrioneve dhe të gjitha lindën fëmijë të shëndetshëm.

Për arsye sigurie, transferimi i embrioneve u krye të paktën një vit pas përfundimit të terapisë. Studiuesit raportuan një ngjarje serioze të padëshiruar, por ajo ishte e lidhur me stimulimin hormonal, jo me vetë rituksimabin. Ekspertët theksojnë se rezultatet janë inkurajuese, por paralajmërojnë se studimi është kryer në një numër shumë të vogël pjesëmarrësesh.

Për këtë arsye, nevojiten studime më të mëdha klinike për të konfirmuar efikasitetin dhe sigurinë e kësaj metode, ndërsa një studim i tillë tashmë është në zhvillim.

Burimi: Telegrafi