Shqiptarja nga Kosova, Aroma Lushaku, ka shënuar një sukses të rëndësishëm akademik në Danimarkë, duke përfunduar studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare me specializim në Studimet Globale të Refugjatëve. 25-vjeçarja, e cila jeton në Danimarkë që nga fëmijëria, u largua nga Kosova së bashku me familjen e saj për shkak të luftës.
Ajo u rrit në Herning, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Aalborgut në drejtimin Gjuhë Angleze dhe Studime Ndërkombëtare. Studimet master i përfundoi në Kopenhagë.
Tema e punimit të saj të masterit iu kushtua luftës në Kosovë dhe kujtesës kolektive të saj, duke trajtuar ndikimin që konflikti vazhdon të ketë te brezat që e përjetuan dhe te ata që trashëgojnë kujtimet e tij. Punimi u vlerësua me notën maksimale dhe u konsiderua një kontribut i rëndësishëm akademik mbi historinë, identitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar.
Përmes këtij hulumtimi, Aroma Lushaku synon të ruajë kujtesën historike dhe të ndërtojë ura mes brezave, duke theksuar rëndësinë e njohjes së së kaluarës për ndërtimin e një të ardhmeje më të fortë dhe më të bashkuar.
