Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Një ditë pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj disa ish-gardianeve të Burgut të Lipjanit për krime lufte kundër popullsisë civile, një nga viktimat ka treguar për torturat që ka thënë se i ka përjetuar nga to.
Zahrie Podrimqaku-Subashi ka rrëfyer për dhunë sistematike dhe trajtim çnjerëzor brenda burgut Zahrie Podrimqaku Subashi është një nga viktimat që ka përjetuar torturat më të mëdha gjatë luftës sa ndodhej në Burgun e Lipjanit. Ajo ka treguar se dhuna nisi që në ditën e parë, në hyrje të dhomës së burgut. “Më dërguan në dhomën numër 1.
Kur i kam dëgju zhurmën e shkallëve dhe u afruan te dera, e kanë hapë derën dhe më kanë nxjerrë jashtë. Ka qenë PIPI(njëra e akuzuar), më kanë torturu deri në alivanosje. Aty qaq kam qenë e rrahun dhe kur gardianët më kanë marrë më kanë shti në dhomë, as nuk ka guxu Beharja me ma dhënë ndihmën e parë. Beharen nuk e kanë leju, as me u çu me më kap, asnjë pikë me ma dhënë.
Masnej kur janë largu gardianet, Beharja më ka ndihmu”, ka rrëfyer ajo për KOHËN. Torturat, e rrahjet më mizore, ajo ka thënë se i pati edhe nga ish-gardianet e burgut, Liljana Seliq, Danica Lukiq, Sllaxhana Arsiq e Biljana Stoli, për të cilat të premten Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë në mungesë, për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Që kanë qenë më arrogante, më shtazarake kanë qenë Nadica që është e arrestuar edhe sot, ka qenë Sllagjana Arsiq edhe Biljana e cila u quajt Bela. Miljana më ka torturu gjatë bombardimeve, Danica ka qenë e ashpër e rreptë. E ka torturu Dhurata Berishën, edhe Behare Tafallarin, Ajshën.
Liljana ka qenë mbikëqyrëse dhe pa urdhrin e saj, nuk ka guxu me të ra kurrkush pendreg”, ka thënë Podrimqaku-Subashi. Nga goditjet e shufrave që ia kanë dhënë gardianet, ajo ka thënë se i ka rënë edhe lëkura e trupit. “Unë i kam pasë dy palë pizhame për shkak se i kam vesh, se kur më bike pendregu, mos me më ra lëkura e trupit.
U dashke me u përgatit kur të kanë torturuar”, ka treguar viktima. Përveç torturave, ajo ka thënë se ato vuajtën edhe për mungesë të ushqimit. “Ushqimi ka qenë tre herë në ditë, mëngjesin ta bishin një pjesë të margarinës, ta bike një pjesë të vogël buke edhe një vezë.
Margarinën u dasht me rujt, me ia marr naj pjesë e me i rujt me naj qosh që kur na torturojshin me ly trupin”, ka rrëfyer Podrimqaku-Subashi. Kjo e mbijetuar e dhunës ka thënë se torturat nuk u ndalën, as pasi nga Lipjani e transferuan për në Serbi. E ka thënë se bashkë me ta, shkuan edhe gardianët e burgut të Lipjanit. Megjithatë ajo ka thënë se atje nuk përjetuan tortura nga ta.
“Na kanë lidhë duart me konopa se pranga nuk kanë pasë për të gjithë se rreth 5000 mijë të burgosun kemi qenë”, ka treguar Podrimqaku-Subashi. Për ish-gardianet serbe, Liljana Seliq, Danica Lukiq, Sllaxhana Arsiq e Biljana Stoliq, Prokuroria Speciale ka kërkuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
E në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është duke vazhduar gjykimi ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për “Krime lufte kundër popullatës civile”, gjatë vitit 1998-99, në paralelen për femra të Burgut të Lipjanit. Edhe në këtë proces, ka dëshmuar e mbijetuara Zahrie Podrimqaku Subashi.
“Të pandehurat akuzohen se në cilësinë e gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës 1998-1999, në bashkëkryerje me tashmë të akuzuarën N.C., i kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore e dhunë psikike”, u tha në njoftimin e së premtes nga Prokuroria Speciale.
Kjo prokurori ka njoftuar edhe për një rast tjetër të ngritjes së aktakuzës me propozim për gjykim në mungesë. Bëhet fjalë për ish-gardianët e Burgut të Prishtinës dhe të Lipjanit, J.J. dhe A.S., që po ashtu akuzohen për vepra të njëjta.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit, ish gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan, gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Po ashtu, ata i kanë kanosur seriozisht me vrasje”, u tha në njoftim.
