Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas publikimit të Raportit Vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2025, duke thënë se të dhënat e reja konfirmojnë rritjen e çmimeve dhe ngadalësimin e ekonomisë në vend.
Sipas saj, raporti tregon se ekonomia e Kosovës është rritur me 3.6% gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.9%, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe energjisë.
Bajrami ka shprehur shqetësim edhe për parashikimet e vitit 2026, ku rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.5%, ndërsa inflacioni të rritet në 6.7%, duke theksuar se kjo tregon presion të shtuar mbi qytetarët. Ajo ka deklaruar se ekonomia e Kosovës po mbështetet kryesisht në konsum, importe dhe remitenca, duke e cilësuar si një model të paqëndrueshëm ekonomik për vendin.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 importet kanë arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm rreth 869 milionë euro, duke krijuar një deficit të madh tregtar. Bajrami gjithashtu ka kritikuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se ajo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove për bizneset dhe çmimet për qytetarët.
Në fund, ajo ka bërë thirrje për politika ekonomike që mbështesin prodhimin vendor, rrisin eksportin dhe krijojnë vende të reja pune, duke paralajmëruar se varësia e lartë nga importi e bën ekonominë të brishtë dhe të paqëndrueshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
