Prizren: Debat për planin e zhdukjes së gjurmëve dhe sfidat në

0%

Dhimbja e familjeve që prej më shumë se 27 vitesh kërkojnë të vërtetën për më të dashurit e tyre ishte në qendër të dokumentarit të realizuar nga BIRN Kosova, i shfaqur në Prizren, si pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që u prezantuan në tetë rajone të ndryshme të Kosovës.

Në një sallë universiteti që mban emrin e një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe rezistencës në Kosovë, Ukshin Hoti, i cili njëkohësisht figuron edhe në listën e personave të zhdukur, rrëfimet e familjarëve rikthyen në vëmendje plagët e hapura të luftës, mungesën e përgjigjeve dhe pritjen e gjatë që nuk është shuar as pas më shumë se dy dekadash.

Përmes këtij cikli dokumentarësh, BIRN Kosova synoi të dokumentojë historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë dëshmitë e familjeve që vazhdojnë të jetojnë mes kujtesës, dhimbjes dhe shpresës së pandërprerë për të mësuar fatin e më të dashurve të tyre.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dokumentari, i kushtuar rajonit të Prizrenit, përfshin dëshmitë e familjarëve që ende kërkojnë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, trupat e të cilëve nuk janë gjetur kurrë.

Përmes rrëfimeve personale, ai shpalos dhimbjen, pritjen dhe përpjekjet e pandërprera të familjeve për të mësuar të vërtetën, duke kujtuar se pas çdo personi të zhdukur qëndron një histori e ndërprerë dhe një familje që vazhdon të jetojë me mungesën.

Rajoni i Prizrenit, përfshirë Suharekën, Dragashin dhe Mamushën, ishte ndër zonat që përjetuan krime të rënda gjatë luftës, përfshirë vrasje, masakra dhe zhdukje me forcë. Sipas të dhënave të prezantuara, rreth 1 mijë e 560 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur pas luftës në Kosovë, ndërsa rreth 280 prej tyre janë nga rajoni i Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës.

Për mijëra familje, mungesa e informacionit për fatin e të afërmve vazhdon të jetë një barrë e përditshme, ndërsa pasojat e krimeve të luftës vazhdojnë të ndihen edhe te brezat e lindur pas konfliktit. Në këtë mund ta shikoni dokumentarin e plotë.

Pas shfaqjes së dokumentarit u organizua një debat publik, ku përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës diskutuan për sfidat që vazhdojnë ta përcjellin procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Në qendër të diskutimit ishin mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, pengesat në sigurimin e informacionit, procesi i identifikimit të mbetjeve mortore, nevoja për drejtësi për familjet e viktimave, si dhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës dhe dokumentimit të krimeve të luftës.

Në panel morën pjesë prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, përfaqësuesi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, përfaqësuesi i ACDC-së, Aleksandar Rapajiq, aktivisti Agron Limani dhe Kreshnik Gash nga KALLXO.com.

Pas shfaqjes së dokumentarit, debati u përqendrua te pyetja që vazhdon të rëndojë mbi familjet e personave të zhdukur: çfarë po bëjnë institucionet për të zbardhur fatin e tyre dhe a mund të shërbejnë dëshmitë e mbledhura në dokumentar për të hapur hetime të reja?

Debati në Prizren është pjesë e një serie diskutimesh publike që u zhvilluan në tetë rajone të Kosovës, pas shfaqjes së dokumentarëve të realizuar nga BIRN Kosova për personat e zhdukur. Projekti është ndërtuar mbi më shumë se 200 orë incizime dhe rrëfime të familjarëve, me synimin që përveç dokumentimit të historive, të nxisë edhe llogaridhënie nga institucionet.

Prokurori Morina tha se pas marrjes së mandatit nga EULEX-i, Prokuroria Speciale ka ndërtuar struktura të posaçme që merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës dhe rasteve të personave të zhdukur.

Ai shpjegoi se fillimisht është themeluar Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale, ndërsa më pas edhe Policia e Kosovës ka krijuar mekanizma të specializuar për trajtimin e këtyre rasteve.

“Ne si Prokurori Speciale, në këto pesë vitet e fundit, nga koha kur kemi marrë autorizimet ligjore për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, natyra emergjente ka qenë ndërtimi i strukturave të posaçme që merren ekskluzivisht me rastet e krimeve të luftës.

Prandaj kemi bërë hapin e parë që është ndërtimi i Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe ndërtimi i njësisë së posaçme në kuadër të Policisë së Kosovës që i trajton rastet e tilla”– tha Morina.

Sipas tij, pas reformës së Policisë së Kosovës në vitin 2023 është krijuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, e cila funksionon përmes dy sektorëve të veçantë, njëri merret me hetimin e krimeve të luftës si vepra penale, ndërsa tjetri ekskluzivisht me rastet e personave të zhdukur.

Morina tha se krijimi i këtyre mekanizmave ka mundësuar një qasje më të organizuar në mbledhjen dhe verifikimin e informacioneve, si dhe në realizimin e gërmimeve në terren. Duke paraqitur të dhëna konkrete për punën e institucioneve, ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 54 aktivitete që lidhen me personat e zhdukur.

“Në total gjatë vitit 2025, vetëm sa i përket personave të zhdukur, janë zhvilluar 54 aktivitete. Kemi 32 gërmime në 32 lokacione, ku ka rezultuar me gjetjen e 24 trupave eshtërorë, prej tyre 20 trupa dhe katër mbetje kockore”– deklaroi ai.

Morina theksoi se gjatë vitit 2025 janë realizuar tri aktivitete në rajonin e Prizrenit, duke sqaruar se në trajtimin e rasteve vazhdojnë të përfshihen edhe Rahoveci e Malisheva, të cilat në periudhën e luftës konsideroheshin pjesë e rajonit të Prizrenit. Ai tha se një eksumim është kryer në Krushë të Vogël, një tjetër në fshatin Bubël të Malishevës dhe një aktivitet në Rahovec.

Një pjesë e konsiderueshme e diskutimit iu kushtua rastit të veprimtarit Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban edhe universiteti ku u mbajt debati. Morina tha se Prokuroria Speciale ka trajtuar me prioritet informacionet që lidhen me fatin e tij dhe se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore. “Informacione kemi pasur me dhjetëra.

Çdo informacion që ka ardhur është përpunuar nga njësia e posaçme. Kemi pasur shtatë urdhra për zhvarrosje dhe eksumim të lëshuara nga Departamenti Special i Gjykatës në Prishtinë. Janë kryer katër eksumime në fshatin Lubeniq dhe tre në Dubravë, sa i përket rastit të Ukshin Hotit”– tha ai.

Prokurori bëri të ditur se hetimet nuk janë kufizuar vetëm në terren, por janë shtrirë edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pas informacioneve se aty mund të kishte mbetje mortore që mund t’i përkisnin Ukshin Hotit. Sipas tij, për këtë arsye janë marrë 95 mostra gjaku nga familjarë për analiza të ADN-së dhe krahasim me mbetjet mortore që ndodheshin në institut.

Megjithëse procesi nuk çoi në identifikimin e Ukshin Hotit, ai tha se si rezultat i këtyre analizave u arrit identifikimi i pesë personave të tjerë të zhdukur. “Si rezultat i këtij aktiviteti kemi marrë 95 mostra të gjakut me qëllim të krahasimit me gjetjet që ende gjendeshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Si rezultat i kësaj kemi identifikuar pesë trupa të personave të tjerë, por jo të Ukshin Hotit. Megjithatë, aktiviteti është duke vazhduar”– u shpreh Morina. Prokurori theksoi se pengesa më e madhe në procesin e gjetjes së personave të zhdukur mbetet mungesa e informacioneve të besueshme për vendndodhjen e varrezave të mundshme.

Ai tha se, pavarësisht kësaj, institucionet vazhdojnë të verifikojnë çdo informacion që pranojnë. “Mungesa e informacioneve lidhur me lokacionin ku mund të gjenden personat është pengesa kryesore. Megjithatë, vetëm vitin e kaluar kemi bërë 22 vizita hulumtuese në territorin e Kosovës, ku verifikojmë çdo informacion që na vjen për lokacionet potenciale ku mund të jenë varrosur viktimat.

Të gjitha këto informacione janë përpunuar”– përfundoi Morina. Në vazhdim të debatit, përfaqësuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, e vendosi diskutimin në një kontekst më të gjerë historik dhe emocional, duke theksuar se vetë ambienti ku po zhvillohej aktiviteti dhe data në të cilën po mbahej i jepnin një peshë të veçantë këtij diskutimi.

Ai tha se zhvillimi i debatit në sallën e universitetit që mban emrin e Profesor Ukshin Hotit, si dhe afërsia me datat që lidhen me ngjarje të rënda të luftës, e bëjnë këtë moment të mbushur me dhimbje dhe reflektim.

“Sot diskutimi dhe dokumentari kanë një dimension të veçantë, për shkak të ambientit ku gjendemi në sallën e universitetit që mban emrin e atdhetarit dhe intelektualit të martirizuar, Profesor Ukshin Hoti por edhe për shkak të datës që ndërlidhet me përvjetorin e masakrës së Dubravës. Janë ditë ku lulëzon dhimbja”– tha Gara.

Ai bëri një sqarim edhe për datën e 16 majit, duke theksuar se ajo nuk është datë lirimi, siç shpesh është interpretuar, por data e rrëmbimit dhe zhdukjes me forcë të Ukshin Hotit. “E prezantova 16 majin si datë lirimi, megjithatë është data e rrëmbimit dhe zhdukjes me forcë të Profesor Ukshin Hotit. Pas 27 vitesh, fati dhe vendndodhja e profesorit mbeten ende të pandriçuara”– u shpreh ai.

Gara shtoi se rasti i Ukshin Hotit mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë kosovare, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për studentët, intelektualët dhe shtetin në përgjithësi, që sipas tij humbi një zë të rëndësishëm të dijes dhe mendimit kritik.

Duke e zgjeruar diskutimin përtej këtij rasti, ai solli në vëmendje edhe raste të tjera të personave të zhdukur në rajonin e Prizrenit, duke përmendur veçanërisht rastin e Jeshkovës dhe të 11 marsit të vitit 1999, kur shumë qytetarë u rrëmbyen dhe u zhdukën me forcë.

Ai permendi edhe disa nga emrat që ende figurojnë të zhdukur, duke theksuar se pas më shumë se dy dekadash, këta persona vazhdojnë të jetojnë vetëm në kujtesën e familjeve dhe komunitetit.

Gara tha se vetëm në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës janë realizuar qindra operacione gërmimi gjatë viteve të pasluftës, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore. “Ky regjion do të jetë pjesë e agjendës.

Gjatë këtyre 27 viteve në këtë zonë ka pasur më shumë se 294 operacione gërmuese, prej të cilave 142 kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore”– tha ai. Megjithatë, ai theksoi se sfidë kryesore mbetet mungesa e informacionit të saktë për lokacionet e varrezave masive, çka e vështirëson procesin e gërmimeve dhe identifikimeve.

“Lokacionet si rasti i lagjes Tusus gjithmonë mbesin pjesë e agjendës. Për shkak të mungesës së informacionit të saktë, gërmimi në këtë zonë është sfidues, por bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë e Kosovës do të rikthehemi së shpejti në Tusus”– u shpreh Gara.

Ai përmendi edhe rastet e tjera të masakrave, përfshirë Landovicën dhe familjen Berisha, si dhe çështjen e varrezave në Batajnicë të Beogradit, të cilën e cilësoi si një pikë të pandashme të diskutimeve ndërkombëtare për personat e zhdukur. “Batajnica në Beograd është pashmangshëm pjesë e agjendës në të gjitha takimet në Bruksel.

Mbetemi të përkushtuar për të adresuar çdo informacion që mund të sigurohet nga qytetarët dhe aktivistët”– përfundoi ai. Në vazhdim të debatit, diskutimi u zhvendos te roli i informacionit si pikënisje kryesore në procesin e identifikimit të personave të zhdukur, si dhe te rëndësia e çdo të dhëne që mund të vijë nga qytetarët, pavarësisht sa e vogël mund të duket në fillim.

Ditor Haliti tha se i gjithë procesi i identifikimit dhe hetimit nis nga informacioni dhe se pa të, puna në terren dhe në laborator do të ishte shumë më e vështirë. “Puna jonë varet shumë prej informatave dhe gjithçka fillon nga informata.

Me kalimin e viteve informatat shkojnë duke u zbehur, memoria e njerëzve shkon duke u vyshkur dhe gjithnjë është edhe më e vështirë me ardhur deri te këto informata”– tha Haliti.

Ai shtoi se, pavarësisht vështirësive, kapacitetet institucionale janë rritur ndër vite, veçanërisht përmes prezencës dhe mbështetjes së Policisë së Kosovës në terren, e cila sipas tij tashmë është pothuajse çdo ditë e angazhuar në verifikimin e informatave.

Haliti shpjegoi edhe mënyrën se si funksionon puna e Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke e ndarë atë në dy faza kryesore, ndërhyrjet në terren përmes gërmimeve dhe procesi laboratorik, ku analizohen dhe identifikohen mbetjet mortore. I pyetur më tej nëse instituti ka mjetet e nevojshme teknike për ta kryer këtë punë komplekse.

Në përgjigje, Haliti tha se institucionet kanë pajisjet e nevojshme dhe mbështetje profesionale, përfshirë edhe ekipin mjekoligjor të EULEX-it që është i integruar në punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore. “Mjetet teknike i kemi, edhe kapacitetet profesionale i kemi me mbështetjen e ekipit mjekoligjor të EULEX-it, i cili është pjesë e IML-së”– u shpreh ai.

Megjithatë, ai theksoi se elementi më i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi me familjet e viktimave dhe qytetarët, duke i inkurajuar ata që të ndajnë çdo informacion që mund të duket i parëndësishëm në shikim të parë. “Çfarëdo informate që familjet kanë, edhe nëse ju duket e parëndësishme, është me rëndësi ta ndajnë.

Shpesh familjarët vijnë dhe pyesin ‘a ka ndonjë të re’, por ne gjithmonë u themi që nëse kanë dhënë njëherë gjak, mjafton ajo, dhe për mostra shtesë i kontaktojmë ne”– tha Haliti.

Në vijim të debatit, u rikthye çështja e burimit të informacionit fillestar që i orienton institucionet drejt identifikimeve të mundshme, përfshirë bashkëpunimin me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe partnerët ndërkombëtarë si Kryqi i Kuq dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Haliti tha se shpesh janë pikërisht këto rrjete bashkëpunimi që i drejtojnë institucionet drejt individëve të caktuar dhe rrethanave të zhdukjeve, duke krijuar bazën për hetime dhe krahasime laboratorike.

Ai vuri në theks dallim mes nivelit profesional dhe atij politik, duke theksuar se në aspektin teknik bashkëpunimi nuk ka pengesa të dukshme, por se problemet kryesore lindin në nivel politik. “Në aspektin profesional, profesionistët nga mjekësia ligjore në Beograd nuk kanë asnjë tendencë.

Për fat të keq, tendenca të tilla ka vetëm në aspektin politik, ku edhe është pengesa kryesore që të arrijmë te informatat”– tha ai, duke shtuar se nevojitet më shumë trysni ndërkombëtare për përparim në këtë proces.

Në vijim të debatit, diskutimi u fokusua te dimensioni njerëzor i krizës së personave të zhdukur dhe te mënyra se si kjo çështje, pavarësisht viteve që kalojnë, vazhdon të mbetet e ngarkuar emocionalisht dhe shpesh e pandikuar nga dallimet etnike apo politike në nivel familjar dhe komunitar.

Aleksandar Rapajiq nga ACDC tha se puna me këto raste ka qenë e vështirë që në fillim dhe mbetet e tillë edhe sot, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar dhe dhimbjes së akumuluar ndër vite. “Po, keni të drejtë që ishte e vështirë të punohej. Është e vështirë të punohet, sepse kanë kaluar vërtet shumë vite dhe këta njerëz kanë përjetuar gjithçka”– tha ai.

Ai kujtoi se edhe pas më shumë se një dekade e gjysmë pune në këtë fushë, ende mbeten rreth 1 mijë e 500 familje që nuk kanë informacion për fatin e të dashurve të tyre, duke e cilësuar këtë si një realitet të rëndë që vazhdon të jetë i pranishëm në shoqëri.

“Është vërtet e tmerrshme që edhe pas kaq shumë vitesh kemi ende rreth 1,500 familje që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre”– u shpreh Rapajiq. Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive, familjet e personave të zhdukur kanë treguar një nivel të lartë solidariteti mes vete, duke bashkëpunuar pa dallime etnike apo politike.

Diskutimi u përqendrua te shpresa për zbardhjen e rasteve të personave të zhdukur dhe roli i qytetarëve, institucioneve dhe vetë dëshmitarëve të mundshëm në këtë proces që vazhdon prej më shumë se dy dekadash.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Krushës së Vogël, Agron Limani, e nisi fjalën e tij duke theksuar peshën e rëndë që mbart Krusha e Vogël, një nga vendet ku është kryer një nga masakrat më të mëdha në Kosovë, si në nivel komune ashtu edhe në nivel vendi.

Ai tha se procesi i zbardhjes së fatit të personave të zhdukur qëndron mbi një “trekëndësh” të rëndësishëm, familjet, institucionet dhe ata që kanë kryer krimet, duke theksuar se pa bashkëpunim nga të gjitha palët, procesi mbetet i paplotë.

Limani rikujtoi se nga 113 persona të vrarë në Krushë të Vogël, vetëm 53 janë gjetur, identifikuar dhe varrosur, ndërsa më shumë se gjysma mbeten ende të zhdukur. “Nga 113 të vrarë në Krushë të Vogël, vetëm 53 janë gjetur, identifikuar dhe varrosur, ndërsa ende mbi gjysma mbeten persona të zhdukur”– u shpreh ai.

Ai përmendi edhe mënyrën se si, sipas dëshmive dhe të dhënave që kanë familjarët, janë tentuar të fshihen gjurmët e krimit, përfshirë zhvendosjen e mbetjeve mortore dhe hedhjen e tyre në lumin Drini i Bardhë, me qëllim të maskimit të ngjarjes.

Limani theksoi se, pavarësisht përpjekjeve institucionale, mungesa e bashkëpunimit nga pala serbe mbetet një pengesë serioze në zbardhjen e plotë të fatit të viktimave.

Në vazhdim të diskutimit Kreshnik Gashi nga KALLXO.com u ndal te mesazhi që këta dokumentarë synojnë të përcjellin, duke theksuar se qëllimi i tyre është të prekin ndërgjegjen e atyre që mund të kenë ende informacion të pashpallur për fatin e personave të zhdukur.

Ai tha se njerëzit, edhe pas shumë vitesh, shpesh në momente të caktuara personale apo krize, mund të ndihen të shtyrë të tregojnë atë që dinë. “Njerëzit janë të prirur që në momente të caktuara, si sëmundje apo krizë, me i thirrë ndërgjegjes dhe me u kthy me rrëfy çfarë kanë bërë”– u shpreh ai.

Gashi tha se përmes kësaj serie dokumentarësh është synuar pikërisht kjo të krijohet një hapësirë ku informacionet e mbajtura fshehtë për vite të tëra të mund të dalin në dritë, në mënyrë që të ndihmojnë familjet që ende jetojnë me pritjen dhe pasigurinë për fatin e të dashurve të tyre.

“Kemi dashur me prek ndërgjegjen e njerëzve që kanë informacion, që ata ndoshta në momente të caktuara me e nda atë informacion me u çu mesazh atyre që mos të vdesin pa i ndarë informacionet”– përfundoi ai.

Burimi: Kallxo