Basketbolli, në fokusin e FIBA Europe pas vizitës së drejtorit

0%

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Europe, Kamil Novak, më 2 korrik qëndroi për vizitë në Kosovë, ku vizitoi zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës si dhe zhvilloi një takim pune me Kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretaren e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Novak përgëzoi FBK-në për punën e bërë në hartimin e Planit Strategjik 2026-2030, si dhe vlerësoi vizionin afatgjatë dhe qasjen profesionale të Federatës në zhvillimin e basketbollit. Rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të FIBA Europe per zbatimin e qëllimeve strategjike dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me FBK-në në projektet e ardhshme.

Ndërkohë, falënderoi gjithashtu FBK-në për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në organizimin e eventeve të FIBA-s, ku vetëm gjatë vitit 2020, FBK-së i është besuar organzimi i tri ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier, FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat dhe FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C – Femrat.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Novak kishte qenë prezent në ndeshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë e cila u zhvillua në Prizren në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.

Kjo vizitë e Kamil Novak konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA Europe, gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të organizatës më të lartë evropiane të basketbollit për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.

Kosovën, në vazhdën e këtij bashkëpunimi të ngushtë, më 26 korrik do ta vizitojë edhe Presidenti i FIBA Europe, Jorge Garbajosa, i cili do të jetë i pranishëm në finalen e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C për Femra, që do të zhvillohet në Pejë.

Burimi: Bota Sot