Kthesë e papritur për të ardhmen e Arijon Ibrahimoviç, sulmuesi nga Kosova i cili është nën kontratë me Bayern Munihut. Futbollisti 20-vjeçar që po monitorohet nga FSHF prej vitesh, duket se do të zgjatë qëndrimin e tij te kampionët bavarezë dhe ka marrë garanci nga vetë Vinsent Kompani.
Ibrahimoviç ishte dhënë huazim te Heidenheim në sezonin e fundit duke luajtur rregullisht me këtë klub dhe marrë vlerësime pozitive. Kjo ka shtyrë Bayern Munih që të rishikojë situatën e anësorit të sulmit dhe në vend që të vendosë për shitjen e tij, do ta mbajë dhe do t’i ofrojë rinovimin.
Mësohet se tani atij do t’i ofrohet rinovimi i kontratës deri në vitin 2028, me firmën që do të vijë në javën e ardhshme, pasi Vinsent Kompani e do në radhët e ekipit si një alternativë më shumë në repartin ofensiv, duke i garantuar më shumë minuta.
Edhe pse Ibrahimoviç kishte marrë oferta nga Gjermania dhe klube të tjera europiane, ai ka pranuar propozimin e klubit dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i firmës.
