Një familje mërgimtarësh është bërë cak i hajdutëve në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në shtëpi dhe kanë vjedhur dy armë me leje, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është R. J., rreth 65-vjeçare, e cila jeton jashtë Kosovës.
Ajo ka raportuar në Polici se, sapo kishte shkuar në shtëpinë e saj, kishte vërejtur se dera e hyrjes ishte hapur me forcë. Pasi ka hyrë në objekt, ajo ka gjetur dhomat e bastisura, me orendi dhe sende të hedhura nëpër dysheme, duke kuptuar se hajdutët kishin kontrolluar pothuajse të gjithë shtëpinë në kërkim të gjësendeve me vlerë.
Sipas deklarimit të saj, autorët kanë arritur të vjedhin dy armë me leje, në pronësi të djemve të saj, F. J dhe Sh. J, të cilët jetojnë jashtë vendit. Bëhet fjalë për një karabinë dhe një armë gjahu, ndërsa numrat serikë do të dorëzohen në Polici pasi poseduesit të sjellin dokumentacionin përkatës, meqë lejet ndodhen jashtë Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve dhe forenzika e Policisë së Pejës, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe kanë mbledhur provat materiale që pritet t’i ndihmojnë hetimit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e armëve të vjedhura.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
