Nga: Ardona Popova Shpërndaje në: Saktësisht 13 mijë e 318 maturantë e kanë kaluar Testin e Maturës, apo 71 për qind e 18 mijë e 764 nxënësve që iu nënshtruan testit më 20 qershor. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm rreth 2 për qind e tyre kanë arritur pikët maksimale.
Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në MASH, Fatmir Elezaj, njoftoi se maturantët që e kaluan testin kanë treguar njohuritë më të mira në gjuhën angleze. “Në test kanë hyrë 18 mijë e 719 nxënës dhe janë publikuar rezultatet. Prej tyre e kanë kaluar 13 mijë 318 nxënës apo 71.15 për qind.
Mesatarja e pikëve e shprehur në përqindje në gjuhë shqipe është 45.46 për qind, gjuhë angleze 65.1 për qind dhe matematikë 31.83 për qind. Domethënë, rezultatet më të dobëta i kemi në matematikë”, ka thënë ai. Elezaj tregoi edhe se cilat lëndë zgjedhore ishin më të preferuara nga nxënësit.
“Lëndën që më së shumti e kanë përzgjedhur nxënësit është informatika me mbi 7 mijë e 700 nxënës dhe mesatarja e rezultateve është 56.92 për qind, kurse shumica e nxënësve të gjimnazit natyror e kanë zgjedhur lëndën e biologjisë dhe mesatarja në këtë lëndë është 61.4 për qind. Sociologjia mesataren e ka 66.5 për qind”, ka bërë të ditur ky zyrtar i Ministrisë.
Ai ka thënë se lëndët si kimia dhe fizika kanë qenë më pak të pëlqyera e po ashtu në to u shënuan rezultatet më të dobëta. Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thekson se këto rezultate pasqyrojnë qartë problemet me të cilat vazhdon të përballet sistemi arsimor në Kosovë. “Testi i maturës neve po na tregon se ku janë problemet në sistemin arsimor kosovar.
Për shembull, në gjuhën shqipe performanca e ulët tregon problemet që na i ka treguar edhe testi PISA për çështjet e analfabetizmit funksional të kuptimit të shkrim-leximit.
Po ashtu, po e shohim që kemi probleme te shkencat natyrore dhe matematika, ndërsa në të njëjtën kohë po e shihni se po shprehet në rezultatet e maturës se të rinjtë po e mësojnë anglishten nga jeta, rrjetet sociale”, ka thënë Rexhaj. Mbi 6 mijë nxënës pritet t’i nënshtrohen për herë të dytë Testit të Maturës më 29 gusht.
Në Provimin Shtetëror të Maturës, më 20 qershor nxënësit u testuan për njohuritë në tri lëndë obligative si dhe në një lëndë zgjedhore. KOHA ka raportuar se sanksionet e parapara me ndryshimet e fundit ligjore nuk arritën ta parandalojnë kopjimin në Testin e Maturës, të cilit mbi 19 mijë nxënës iu nënshtruan.
Vetëm pak minuta pas nisjes së tij, përmbajtja e testit nisi të shpërndahej në rrjetet sociale. Pyetjet, e më pas përgjigjet, kanë qarkulluar në grupe të komunikimit online.
