“Batmani meksikan” lidh të dyshuarit për vjedhje motoçikletash në

0%

I lodhur duke pritur që policia lokale të kryejë detyrën e saj dhe të sjellë kriminelët para drejtësisë, një vigjilent misterioz në qytetin Lagos de Moreno, në shtetin Jalisco të Meksikës, ka filluar të lidhë me shirit ngjitës (duct tape) të dyshuar për vjedhje motoçikletash në shtylla ndriçimi dhe t’i lërë aty për t’u gjetur nga autoritetet. Deri tani janë gjetur të paktën pesë “viktima”.

“Batman”-i misterioz ka filluar të veprojë në Lagos de Moreno në mes të qershorit. Personi i parë u gjet i lidhur në një shtyllë ndriçimi me shirit ngjitës, me fjalën “hajdut” të shkruar në ballë, më 13 qershor. Pranë tij u gjet edhe një motoçikletë e dyshuar si e vjedhur, duke sugjeruar se personi i imobilizuar ishte një hajdut.

Por ky ishte vetëm fillimi, pasi policia që atëherë ka gjetur të paktën katër persona të tjerë të dyshuar si hajdutë, të lidhur në shtylla ndriçimi. Edhe pse shumica e njerëzve besojnë se kjo fushatë kundër hajdutëve të dyshuar të motoçikletave është vepër e një vigjilenti të vetëm, autoritetet lokale kanë deklaruar për mediat se mund të jetë puna e një grupi vigjilentësh.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Interesant është fakti se deri tani, personat e gjetur nuk kanë dhënë sqarime për këtë çështje. Sekretari i Sigurisë Publike të Jalisco-s, Juan Pablo Hernández, ka njoftuar se hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar sulmet dhe për të identifikuar të përfshirët.

Ai gjithashtu theksoi se pesë burrat e gjetur të lidhur deri tani po trajtohen si viktima, duke shtuar se askush nuk duhet të marrë ligjin në duart e veta, pavarësisht motiveve. “Batman”-i misterioz i Lagos de Moreno ka shkaktuar debat në rrjetet sociale në Meksikë, duke i ndarë njerëzit mes atyre që e dënojnë këtë lloj “drejtësie vigjilente” dhe atyre që e mbështesin autorin e dyshuar.

Në vitin 2018, u raportua një rast shumë i ngjashëm në qytetin Puerto Vallarta të Meksikës, ku të paktën 11 persona u gjetën të zhveshur plotësisht, të lidhur në shtylla ndriçimi dhe me shkronjën “R” të rruar në pjesën e pasme të kokës. Ky mister nuk u zgjidh kurrë.

Burimi: Telegrafi