Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prag të 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ka shprehur mirënjohjen e tij për rolin historik të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se nderimi për aleatin kryesor të vendit nuk duhet të kufizohet vetëm në një ditë festive.
Në një reagim publik, Lladrovci tha se për qytetarët e Kosovës, SHBA-ja nuk përfaqëson vetëm një shtet aleat, por vetë lirinë. “ Ta ndjesh Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në shtetin më proamerikan në botë, nuk është aq e thjeshtë.
Nuk është e thjeshtë, sepse qytetarët e Kosovës, te Amerika, nuk e shohin vetëm shtetin aleat, por vet krijuesin e lirisë, në Kosovë dhe në botë. Sigurisht, ka shtete e mendësi të caktuara, të cilat nuk e mendojnë kështu, ndërsa ne, shtetasit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk kemi asnjë dyshim se ShBA është vet liria ”, ka shkruar ai.
Lladrovci tha se disa gjenerata të reja nuk e përjetojnë njësoj rëndësinë e SHBA-së, ndërsa shtoi se mirënjohja ndaj aleatit historik nuk duhet të konsiderohet servilizëm.
“ Mbase, te disa të rinj që dalin në media apo pjesëtarë të gjeneratave të reja nuk ua ngroh shumë zemrën sa duhet kur thuhet ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, ndërsa lavdërimi i përjetshëm për aleatin tonë historik nga ata që e përjetuan robërinë dhe lirinë, disave ju duket servilizëm.
Për më keq, mirënjohja dhe falënderimi për aleatin tonë historik, për dorën e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, ju duket e fryrë ”, u shpreh ai. Kryetari i Drenasit rikujtoi edhe momentet historike që, sipas tij, dëshmojnë miqësinë e hershme ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“ Kur e mendoj se si u zhvillua historia jonë, kronologjia e një marrëdhënieje, nga shekulli i 19-të, veçanërisht nga Presidenti Wilson, Lufta e Dytë Botërore, vlerësimet për shqiptarët në kohën e ‘mbledhjes së armëve’, Kushtetuta e vitit 1974, ardhja e kongresmenëve në Prishtinë më 1990, ngritja e flamurit te ‘Zyra e Informimit’ në Prishtinë e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është tregim i një miqësie sa krenare për neve, aq edhe historik e”, tha Lladrovci.
Ai theksoi se respekti për SHBA-në duhet të jetë i përhershëm dhe jo vetëm me rastin e festës së 4 Korrikut. “Katër Korriku është nesër dhe pastaj vjen Pesë Korriku e vijon deri në përvjetorin tjetër, por mua, besoj edhe të tjerëve si unë që ishim në gjendje të japim çdo gjë për lirinë e Kosovës, nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit ”, shtoi Lladrovci.
