Shqipëria ka hapur zyrtarisht Shkollën Kombëtare të Fluturimit, një projekt që sipas kryeministrit Edi Rama shënon një kapitull të ri për Forcat e Armatosura dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.
Rama tha se ky institucion i ri përfaqëson një pikë kthese jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për sigurinë rajonale, duke theksuar se shkolla do të funksionojë sipas standardeve të NATO-s për trajnimin e pilotëve ushtarakë.
Ai nënvizoi se shkolla është hapur edhe për kandidatët nga Kosova, duke shtuar se Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është ngarkuar të komunikojë me homologun e tij në Kosovë për të vlerësuar interesimin për trajnimin e pilotëve të ardhshëm në këtë institucion.
Sipas tij, projekti fillimisht është pritur me skepticizëm, por sot është bërë realitet dhe po hap mundësi të reja për të rinjtë që synojnë karrierë në aviacionin ushtarak. “U prit me humor si fillim, pastaj vazhdoi me akuza për falimentim dhe ja ku jemi sot shkolla kombëtare e fluturimit çel dyert e saj. KAYO ka marrë formë të plotë me një sërë partneritetesh.
Sot forca jonë e armatosur është më e mirëpaguara në rajon dhe ambicia jonë është që në rrugën drejt BE, ata do të jetë në mesataren e forcave të NATOs- përsa i përket kontributit të shtetit të taksapaguesve për pagat e tyre. Jem duke përjetuar një kapitull të ri në raportin e rinisë në forcat e armatosura.
E kemi nisur me vështirësi për të afruar të rinjtë, por sot është më e vështirë të zgjedhësh mes kandidatitëve dhe kjo shkollë është një tjetër shembull. Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish, ndërkohë që shkolla jonë kombëtare është e hapur dhe për të stërvitur e të cerftikuar, pilotët e rinj të vendeve t NATO-s në vendin tonë, duke nisur nga Kosova”, tha Rama.
Ai shtoi se po shqyrtohen edhe bashkëpunime ndërkombëtare në fushën e trajnimit, përfshirë eksperienca nga Izraeli, ndërsa theksoi se projekti është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe emergjencave civile.
Rama përmendi gjithashtu investimet në flotën ajrore dhe shtimin e kapaciteteve për ndërhyrje në raste emergjencash, veçanërisht gjatë sezonit të zjarreve, duke theksuar se helikopterët ushtarakë janë aktualisht në operim dhe pritet zgjerim i mëtejshëm i flotës.
Sipas tij, me aktin e ri normativ, Shqipëria synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake dhe civile, duke u pozicionuar si një nga vendet me gatishmërinë më të lartë në rajon. Në fund, ai bëri të ditur se është në plan edhe hapja e një shkolle për forcat speciale, si pjesë e reformave të vazhdueshme në sektorin e mbrojtjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
